Presidenti i vendit Ilir Meta ka bërë një deklaratë të fortë, sa i takon zgjidhjes së krizës politike në vend ku tha se vendi rrezikon një konflikt civil.
Meta tha se të gjithë përfaqësuesit politik duhet t’i thërrasin mendjes dhe nuk duhet t’i çojnë qytetarët drejt një përplasjeje civile në 30 Qershor.
“Të gjithë t’i thërrasin mendjes, nuk ka pse Shqipëria të shkojë në konfrontime për interesa personale dhe okulte të palëve”, tha Meta.
I pyetur për deklaratën e kryeministrit Rama, i cili tha se presidenti nuk e kishte thërritur në takim, për zgjidhjen e krizës, Meta u shpreh se kjo është shmangie nga përgjegjësia. (Lexo edhe ketu)
“Askush nuk mund ti transferojë përgjegjësitë te të tjerët, aq më shumë te presidenti i Republikës, ata e dinë shumë mirë çfarë duhet të bëjnë, dhe cilat do të jenë pasojat në rast se vendi shkon drejt një përplasje civile”, deklaroi presidenti Meta.
“Sa i përket presidentit të republikës në kohë protestash ja qaj hallin! Miqësisht! Nuk do doja kurrë që të isha në vendin e tij, është në hall shumë të madh. E mirëkuptoj që nuk më ka thirrur asnjëherë për këtë çështje, mbetem i sodalizuar me presidentin sa herë që ka protesta” u shpreh Rama pak ditë më parë.
Prononcimi i plotë i Metës për gazetarët:
Gazetari: Zoti President, a rrezikon vendi të shkojë në përplasje civile në kohën që kriza politike po thellohet dhe palët politike janë ekstremisht të kundërta në qëndrimet e tyre?
Presidenti Meta: Mendoj që kjo situatë nuk duhet të ekzistonte kurrsesi pas 22 vjetësh, që kur Shqipëria u nda me vitin 1997, që ishte një vit mjaft fatkeq.
Të gjithë t’i thërrasin mendjes dhe të marrin përgjegjësitë e tyre, sepse për interesa tërësisht egoiste dhe okulte, Shqipëria nuk ka pse të shkojë në konfrontim dhe as shqiptarët me njëri-tjetrin. Ata kanë vendosur të bashkëjetojnë në mënyrë demokratike dhe janë ndarë me sistemet përjashtuese që në vitin 1990.
Gazetari: Zoti Meta, kush i ka këto interesa okulte për të cilat flisni ju?
Presidenti Meta: Nuk i kanë ata të cilët mezi po presin turizmin dhe shtimin e rezervimin dhe jo anulimin e rezervimeve.
Gazetari: Kryeministri thotë që Ju nuk i keni ftuar në një tryezë për të zgjidhur krizën politike. A do të ndërmerrni një hap të tillë në vijim? Ju keni thënë në mënyrë të vazhdueshme se edhe jo publikisht keni bërë ç’të mundeni për të shpëtuar krizën politike në vend…
Presidenti Meta: Askush nuk mund t’i transferojë përgjegjësitë te të tjerët aq më tepër te Presidenti i Republikës. Ata e dinë vetë shumë mirë se çfarë duhet të bëjnë dhe duhet të jenë të ndërgjegjshme për pasojat që do të kenë në rast se do ta çojnë vendin drejt konfrontimit.
(E.K/FAXWEB.AL)