Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë dhe njëherazi kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të gazetarit Andrea Stefani përmes një letre drejtuar familjes. Në mesazhin e tij, ai shpreh dhimbjen e thellë dhe boshllëkun për largimin e një personaliteti si Andrea.
Në letrën drejtuar bashkëshortjes së gazetarit, Enkelejda dhe dy fëmijëve, Daniel e Stefani, ai shkruan se ishte i bindur se Andrea do të triumfonte ashtu siç bënte gjithmonë në betejat publike, pasi është një nga ata njerëz për të cilët nuk pritet asnjëherë ikja.
Kryeparlamentari e cilëson gazetarin Andrea Stefani si një luftëtar të lirisë së fjalës, që ishte pjesë e portertit të shqetësuar të gjithë shoqërisë shqiptare, të cilit i kemi një borxh mirënjohje.
Letra e Metës drejtuar familjes Stefani
E dashur Enkelejda,
Të dashur Daniel e Stefani,
Kam provuar trishtim, dëshpërim dhe një dhembje të pafund kur mësova lajmin e hidhur e të pabesueshëm për Andrean.
E dija që kishte muaj që kishte nisur një betejë të fortë, të madhe, të rëndësishme, por isha i bindur se ajo nuk do të ishte beteja e fundit e këtij luftëtari të paepur.
Isha i bindur se Andrea do të triumfonte në këtë betejë vetjake që nuk e bënte thjesht dhe vetëm për veten e tij, por e bënte edhe për Ju, familjarë e të afërm të tij, e bënte edhe për ne, të njohurit e tij të shumtë, edhe për gjithë atë armatë të madhe lexuesish dhe shikuesish shqiptarë, të cilët e lexonin dhe e shikonin botën tonë të vogël, edhe nëpërmjet fjalës së tij të lirë.
Isha i bindur sepse Andrea, për aq sa e kam njohur, në të gjitha betejat publike me fjalë që ai kishte hyrë dhe i kishte luftuar, asnjëherë nuk nisej nga interesi i tij vetjak, por vinte përpara një interes shumë më të madh të të gjithë shoqërisë. Ashtu siç e shihte ai vetë. Ashtu siç besonte ai vetë, si një shpirt i shqetësuar për lirinë dhe që kurrë nuk bëri kompromis për të vërtetat e tij.
Andrea është nga ata njerëz të rrallë për të cilët nuk pritet asnjëherë ikja për të kuptuar sesa e rëndësishme ka qenë prania e tyre.
Andrea ishte i pazëvendësueshëm si mik dhe i respektueshëm si kundërshtar. Kush e ka njohur në këto dy anë të shfaqjes së tij publike, ndoshta ka pasur fatin të njohë edhe lirinë e tij që ai e vuri pa hezitim në shërbim të publikut.
Pjesë e një grupi të vogël gazetarësh të fillimviteve 90-të, në kohën kur Shqipëria po ndryshonte me shpejtësi, Andrea është githashtu pjesë e portretit të shqetësuar e të gjithë shoqërisë shqiptare. Me shumë dilema, me shumë vështirësi, më rrëzime dhe ngritje, por dhe me besimin e pandryshueshëm se vetëm liria dhe ndeshja për lirinë, do të sillte të nesërmen më të mirë për të gjithë shoqërinë.
Dhe Andrea ka qenë luftëtar i lirisë dhe lirisë së fjalës që e kultivoi si pakkush. Secili nga ne i ka një borxh mirënjohjeje Andrea Stefanit!
Ikja e tij ka lënë një dhembje të madhe për familjarët e tij, për bashkëshorten Enkelejda dhe dy fëmijët Daniel dhe Stefani dhe një boshllëk të madh për gjithë shqiptarët, të cilët nuk qenë kurrë indiferentë ndaj fjalës së tij, pavarësisht se e donin apo e kundërshtonin atë.
Unë bashkoj sot me të gjithë Ju, dhembjen time dhe ju shpreh gjithë trishtimin tim për humbjen e këtij njeriu të veçantë, kalorës fisnik dhe luftëtar të madh të fjalës.