Ilir Meta zgjidhet presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë, merr 87 vota pro dhe 2 vota kundër. Me votim të thjeshtë Ilir Meta do të marrë postin që tani mban Bujar Nishani. Seanca është drejtuar nga nënkryetarja Valentina Leskaj dhe të pranishëm ishin 89 deputetë.
Më herët u zbardhën edhe emrat e 23 deputetëve që kanë firmosur për të propozuar Metën për president. Mes tyre ishte edhe Monika Kryemadhi, Mesila Doda dhe Shpëtim Idrizi.
Komisioni i Ligjeve i ka dhënë “OK”-in kandidaturës së Ilir Metës për President pasi plotëson të gjitha kërkesat kushtetuese dhe ligjore. Ky komision drejtohej nga Vasilika Hysi, ku ka paraqitur jetëshkrimin, vetëdeklarimin e garantimit të integritetit të Metës. Komisioni ka marrë shkresën e KQZ-së për formularin e vetëdeklarimit të kandidatit Meta. Sipas KQZ-së rezulton se Ilir Meta nuk është në kushtet e ndalimit. Po kështu plotëson kushtin që është mbi 40 vjet dhe kadidatura e tij përmbush kushtet ligjore dhe nuk ka asnjë problem kushtetues.
Sipas komisionit të ligjeve Ilir Meta është kandidat i vetëm për president dhe për këtë të gjithë deputetët kanë rënë dakord.
Meta u zgjodh president në raudin e katërt të votimit, pas djegies së 3 raundeve të para. Dje ka qenë kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi që i ka bërë presion LSI-së për zgjedhjen e presidentit të ri dhe disa minuta më vonë nisën lëvizjet për mbledhjen e firmave. (V.G/SHUPLAKA)