Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka mbajtur sot një deklaratë për shtyp në lidhje me angazhimin e strukturave policore gjatë sezonit turistik dhe masat ndaj punonjësve që kanë neglizhuar detyrat e tyre.
Në këtë deklaratë, Proda theksoi se siguria, rendi dhe shërbimi ndaj qytetarëve dhe turistëve janë prioritet absolut i Policisë së Shtetit, e cila është angazhuar në zbatim të një plani të posaçëm masash për sezonin turistik veror 2025.
Ky plan përfshin:
-
Garantimin e sigurisë në zonat turistike dhe urbane;
-
Sigurimin e plazheve;
-
Parandalimin e ndotjes akustike dhe mjedisore;
-
Lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të kundërligjshme;
-
Goditjen e ndërtimeve pa leje.
Në vijim të situatës së krijuar në zonën e mbrojtur të Thethit, ku janë konstatuar ndërtime të paligjshme, drejtori Proda bëri me dije një sërë masash të menjëhershme:
-
Pezullimi dhe nisja e procedurës disiplinore ndaj shefit të Stacionit të Policisë në Theth, për mosveprim të pajustifikueshëm.
-
Procedura disiplinore ndaj inspektorit të zonës dhe specialistit të krimeve, të cilët nuk kanë reaguar siç kërkohet nga detyra.
-
Shkarkimi i Drejtorit të Policisë Vendore të Shkodrës dhe Shefit të Komisariatit të Shkodrës, për përgjegjësi në lidhje me mungesën e kontrollit mbi territorin dhe zaptimet e paligjshme.
“Hapësirat publike i përkasin qytetarëve. Askush nuk ka të drejtë t’i përvetësojë. Çdo ditë do të ketë kontroll të përditshëm dhe do të ketë përgjegjësi direkte për çdo neglizhencë,” – u shpreh Proda.
Drejtori i Policisë paralajmëroi se parkimi i dyfishtë në rrugë nuk do të konsiderohet më si një shkelje e lehtë administrative, por si vepër penale, që bie ndesh me nenin 293 të Kodit Penal, pasi cenon sigurinë publike dhe lirinë e lëvizjes së qytetarëve.
Ilir Proda i bëri thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast abuzimi, neglizhence apo mosveprimi nga punonjësit e Policisë, duke theksuar se Policia e Shtetit është në anën e qytetarëve dhe komunitetit.
“Bashkë mund të largojmë përfundimisht kulturën e heshtjes dhe të mosveprimit. Nuk jam vetëm unë, por jemi shumë në Policinë e Shtetit që presim me përkushtim denoncimet tuaja,” – përfundoi Proda.