Vetëm një ditë më parë Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar në lidhje me projektligjin për dekoratat dhe mbetjet (plehrat).
Balla ka theksuar se nuk ka më një projektligj të tillë dhe se socialistët do t’i rikthejnë këto dy çështje tek publiku për debat. “Nuk ka më projekt-ligj për dekoratat apo për mbetjet. Grupi Parlamentar Socialist do t’i rikthejë në publik për një debat shterrues, bazuar në argumenta jo në akuza dhe në arsye jo në mllef. Bashkëqeverisja me njerëzit e zakonshëm ka filluar”, është shprehur Balla.
Ky reagim vjen pas publikimit të kalendarit të punës të parlamentit të Shqipërisë. Në program është renditur shqyrtimi i dekretit të Presidentit Nishani, i cili e ka kthyer për rishqyrtim ligjin e importit të mbetjeve.
Pavarësisht periudhës që ka kaluar dekretet nuk janë diskutuar ende në komisionin parlamentar të veprimtarisë prodhuese.
Po ashtu në kalendar është edhe drafti për heqjen e dekoratave të ish –diktatorit Enver Hoxha si dhe të titujve që iu janë dhënë bashkëpunëtorëve të sistemit.
Sjellim në vëmendje që dje ka reaguar edhe kreu Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili i cili ka theksuar se duhet një referendum për të vendosur mbi ligjin për importin e plehrave.
“Populli është shumë i shqetësuar që Shqipëria do të shëndrrohet në gropën e plehrave të të gjithë Europës, pasi me këtë ligj të gjithë llojet e sojet e plehrave do të derdhen në Shqipëri. Zgjidhja është vetëm një REFERENDUM POPULLOR për t’i thënë po ose jo vërshimit të plehrave në Shqipëri.”, u shpreh ndër të tjera Vasili.
Edhe deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji, ka reaguar pas deklaratës së Taulant Ballës. Sipas Salianjit asgjë nuk ka ndryshuar, dhe se kjo do të jetë një lëvizje mashtruese për të manipuluar opinionin publik.
“Presioni popullor dhe reagimi masiv e struku në mbrojtje taktike qeverinë, duke lajmëruar se është tërhequr përkohësisht nga tradhëtia kombëtare për të helmuar Shqipërinë!! Kjo është vetëm lëvizje mashtruese për të manipuluar opinionin publik, asgje ska ndryshuar! Shqiptarët mund dhe duhet të vendosin vetë për fatin e tyre jo një grup njerëzish që po sillen si pushtues.”, u shpreh Salianji. (J.V/Shuplaka)