Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka dalë në një deklaratë të fortë kundër ligjit të ri për “Zonat e Mbrojtura”, duke e cilësuar atë si një akt antikushtetues që shkatërron pasuritë natyrore dhe trashëgiminë kombëtare të vendit.
Zhupa: Ligji nuk lejon më asnjë zonë të mbrojtur në Shqipëri
Sipas Zhupës, ky ligj i propozuar nga qeveria e Edi Ramës, i hap rrugë shfrytëzimit të zonave të mbrojtura për interesa të investimeve strategjike të klientelës së pushtetit. “Prova gjenerale u bë me Parkun e Butrintit, më pas me ligjin që praktikisht shfuqizon çdo mbrojtje për mjedisin,” – theksoi ajo.
Zhupa shtoi se ky ligj bie ndesh me parimet dhe detyrimet që Shqipëria ka marrë me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, veçanërisht me nenin 108. “Europa mbron mjedisin dhe shëndetin publik, ndërsa Shqipëria me këtë ligj i hap rrugë betonizimit dhe zhdukjes së pasurive natyrore,” – u shpreh ajo.
Deputetja citoi një sërë nenesh të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë (neni 56, 59 1d, 59 1g, 82), të cilat, sipas saj, ky ligj i ri i dhunon në mënyrë flagrante. “Kushtetuta na detyron të mbrojmë mjedisin, trashëgiminë dhe të garantojmë një të ardhme të qëndrueshme për brezat e ardhshëm,” – deklaroi Zhupa.
Në përfundim, Ina Zhupa u bëri thirrje anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të mos bien pre e presioneve politike dhe të rrëzojnë këtë ligj që, sipas saj, “asgjëson zonat e mbrojtura dhe dëmton interesin publik në mënyrë të pakthyeshme.”
“Presionet për këtë ligj janë të mëdha, por drejtësia duhet të qëndrojë në lartësinë e misionit të saj për të mbrojtur Kushtetutën dhe pasuritë e shqiptarëve,” përfundoi Zhupa.