Deputetja e Sarandës, Ina Zhupa, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama gjatë vizitës së tij në qytet, duke iu kundërpërgjigjur atij përmes një serie akuzash. Ajo e akuzon Ramën për mungesë programi dhe për përdorimin e premtimeve të pambajtura, që sipas saj, janë të ricikluara dhe të pasinqerta.
Zhupa prezantoi programin e Partisë Demokratike, i cili përqendrohet në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, ku qytetarët, bizneset e vogla dhe ekonomitë familjare do të përfitojnë. Ajo theksoi se PD ka një plan për të garantuar akses të barabartë për të gjithë në plazhe dhe të ndalojë privatizimin e pronave bregdetare në emër të klientëve të pushtetit.
Zhupa gjithashtu theksoi disa masa ekonomike të PD, përfshirë një taksë të sheshtë prej 10% mbi kapitalin, heqjen e taksës mbi karburantet dhe uljen e taksës mbi shitjen e pronës. Sipas saj, ky program do të sjellë zhvillim dhe prosperitet për Sarandën, duke e bërë qytetin “Madhështor”.
Reagimi i plotë i Ina Zhupës:
Rama, i coroditur në Sarandë, pa program, me listë mashtrimesh të ricikluara.
PS ka 14 vjet pushtetin lokal në Sarandë dhe 12 vjet pushtetin qëndror por sipas Ramës investimet si beri dot se i prishi punë kodi zgjedhor që ndalon 4 muaj. Këto gënjeshtra me bisht nuk i beson asnjë, jo më qytetarët e mencur të Sarandës.
Partia Demokratike ka planin për turizmin ku përfitojnë qytetarët, ekonomitë familjare, bizneset e vogla dhe të mesme, ku plazhet janë për të gjithë, dhe jo turizmi i vilave të oligarkëve.
Partia Demokratike ndalon vjedhjet strategjike të pronave të banorëve në emër të klientëve të pushtetit, që kanë privatizuar çdo cep të vijës bregdetare.
Partia Demokratike vendos takse të sheshtë 10% mbi kapitalin.
Zero taksim mbi profesionet e lira dhe biznesin e vogël.
Ne ulim nga 15% në 2% të taksës së shitjes së pronës.
Ne heqim “Taksen Rama” mbi karburantet. Çdo litër karburant do të kushtojë të paktën 24 lek më lirë.
Qytetarët e Sarandës do zgjedhin programin që ju mbush xhepat, që ju mbron pronën, që bën Sarandën Madhështore dhe jo gënjeshtrat e ricikluara të kryeministrit në ikje.