Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, ndodhet në ceremoninë e inagurimit te Parkut fotovoltaik te Karavastasë.
Gjatë fjalës së saj, Balluku u shpreh se ky park është më i madhi në Ballkan dhe se kompania franceze Voltalia do të ndërtojë një park tjetër në Spitallë.
Fjala e Zëvendëskryeministres, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në ceremoninë e përurimit të parkut diellor të Karavastasë
Përshëndetje të gjithëve!
Është një kënaqësi shumë e madhe për mua që të jem këtu sot dhe po i thoja kolegut tim ministrit Haddad, se unë kam qenë shpesh në këtë terren. Kam qenë kur nisëm punimet, kam qenë për inspektim gjatë ndërtimit, kam qenë kur u bënë testet e para të prodhimit, pasi duhet të them një fakt. Mund të flas gjatë për energjinë, energjia është pasion. Të gjitha ata që punojnë në fushën energjetike e dinë shumë mirë është diçka e ngjashme me aviacionin dhe unë e kam pasur fatin që të punoj në të dy këto fusha. Nuk është thjesht një punë, 8 me 4, është pasion. Ti futesh brenda energjisë dhe jeton me të dhe unë mund të flas pafund për energjinë, por unë nuk do të flas për energjinë sot, foli zëvendësministri Klosi, foli Zëvendëspresidenti i Voltalias, edhe kolegu im Haddad gjithashtu. Unë do flas për Voltalian. Do flas për thyesin e akullit në fushën e investimeve në parqet fotovoltaike dhe në investimet e huaja në energji në Republikën e Shqipërisë.
Kur unë kam marrë detyrën situata e besimit të investitorëve të huaj nuk ishte kjo që është sot. Unë kam kaluar një kohë të gjatë me trupin diplomatik, me përfaqësues të dhomave të ndryshme tregtare nga vendet europiane, por edhe me vetë përfaqësues të kompanive të mëdha duke i shpjeguar që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, unë dhe për më tepër Kryeministri Rama kishim një mision. Jo vetëm që të ndërtonim në Shqipëri një sektor energjetik modern, një sektor energjetik që do ti përgjigjej të ardhmes, por nga ana tjetër të ndërtonim besimin që investitorët e huaj të vinin në këtë vend dhe të investonin pa asnjë frikë. Megjithatë që të ndodhte kjo ne kishim nevojë për partner, kishim nevojë për partner të guximshëm të cilët do ti besonin fjalëve tona dhe më pas do ktheheshin në shembullin më të mirë për tu ndjekur. Dhe këtu gjej rastin të falënderoj ambasadorët, ambasadorin e Shqipërisë në Francë dhe ambasadoren e Francës në Shqipëri dhe dua të falënderoj, Julien Roche, sepse është dashur shumë punë dhe kur ambasadorët janë të zotët, janë të mirë dhe kur e bëjnë punën me pasion për vendin e tyre atëherë dhe arritjet janë si këto sot.
Ky park patjetër mbart një sërë vlerash, siç është fakti i të qenit parku më i madh fotovolatik në Ballkan, siç është fakti që ne kemi arritur një çmim rekord i cili sot vazhdon dhe është në librat dhe në postimet e BERZH-it, që gjej rastin ta falenderoj për të gjithë suportin që i ka dhënë Shqipërisë në fushën e ngritjes së kapaciteteve të energjive të rinovueshme. Por ajo që këtu duhet thënë është që Voltalia për ne është një shembull që sot e themi në çdo tryezë ku ulemi me investitorët e huaj dhe unë përdor një fjali që them ‘shikoni Voltalian’. Voltalia erdhi në Shqipëri, jo vetëm që investoi në parkun e Karavastasë, por sot është duke ngritur dhe ndërtuar një park të ri, parkun e Spitallës. Dhe nëse Voltalia, kompania franceze e ekselencës vendosi që të vijë dhe të investojë në Shqipëri, patjetër që ju duhet të bëni të njëjtën gjë.
E thënë e gjitha kjo unë këtu dua të nënvizojë edhe një fakt tjetër shumë të rëndësishëm të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Francës. E tha edhe kolegu im që është për tu shënuar fakti i marrëdhënies së shkëlqyer midis presidentit francez Makron dhe kryeministrit shqiptar Rama dhe vizita e presidentit Makron në Shqipëri i shoqëruar nga një grup investitorësh ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve tona bilaterale, por nga ana tjetër dhe krijimin e një shembulli të mirë për Shqipërinë dhe për vendet e tjera të Bashkimit Europian.
Ju të gjithë e dini aspiratën tonë të madhe, Shqipëria dhe shqiptarët aspirojnë që shumë shpejt brenda vitit 2030 të jenë pjesë tashmë e Bashkimit Europian. E para se na takon, se kemi lindur në zemër të Europës dhe jemi ndoshta populli më i lashtë i këtij kontinenti, pa dashur këtu që të hap polemikat me fqinjët apo edhe më gjerë. Por kemi lindur në zemër të Europës dhe këtë nuk na e ndryshon dot askush. Asnjë lloj burokracie në këtë botë.
Nga ana tjetër, na takon sepse jemi populli më eurodashës. Jemi një popull që e kemi dashur Europën që në lashtësinë tonë. Jemi një popull që kemi përshkuar kilometra të tëra me karvan në 1800, për të shkuar dhe për të zënë vende në kryeqytetet Europiane si Parisi, Roma e kudo tjetër. Jemi një popull që nuk e kemi tradhtuar kurrë vijën politike të Bashkimit Europian dhe jemi një popull që nëse vendosim të të qëndrojmë në krah na ke përjetë.
Për të gjitha këto arsye aspirata jonë dhe jo vetëm për këto arsye, por edhe për shkak të angazhimit të Qeverisë Shqiptare, të Kryeministrit Edi Rama dhe të një mijë burra dhe grave që janë pjesë e grupit negociator të tryezës së Brukselit, aspirata jonë tashmë po kthehet në një realitet të prekshëm.
Kemi dëgjuar nga Komisionerja Marta Kos të thotë që Shqipëria në 2027 me këtë ecuri mund ti përmbyllë të gjitha proceset e negociatave dhe nga ai moment të fillojë ratifikimi i këtyre negociatave në parlamentet e vendeve anëtare, duke i dhënë kështu ëndrrës sonë një bazë reale tashmë.
Dhe këtu kthehem tek energjia. Kthehem tek energjia për të thënë që nëse ka një sektor ku Shqipëria ndihet krenare sepse gjithçka që ne bëjmë, duke nisur nga përafrimi ligjor dhe deri tek operimet është e njëjtë me të gjitha rregullat, ligjet, kërkesat e Bashkimit Europian, ajo është energjia, sektori energjetik. Nëse ka një sektor i cili na bën krenarë për shkak të sigurisë që ofron padyshim ky është sektori energjetik dhe e thënë kjo në kohë të vështira si këto që po jetojmë, kohë sfiduese, kur bota vihet para sfidave, qoftë nga forcat madhore, siç na ndodhi me pandeminë, apo qoftë nga vendimet politike, siç ishte rasti i agresionit rus në Ukrainë siguria energjetike është arma më e fuqishme për një vend dhe nëse ky vend arrin ta garantojë për veten e tij atëherë e reflekton këtë siguri edhe në rajon apo më gjerë.
Që ti kthehem energjisë fotovoltaike, energjisë solare e cila sot ka arritur që të zërë 10% të volumeve të prodhimit të energjisë së instaluar në vendin tonë. Ky është një volum shumë i rëndësishëm në qoftë se ju keni parasysh që Shqipëria me të vërtetë është krenare për prodhimin e saj energjetik të rinovueshëm, por deri para pak vitesh të bazuar mbi energjinë hidro, e cila e bënte vendin tonë të varur nga humori i shiut, viteve të lagësht apo jo. Për një informacion teknik, viti që kemi përpara, fatkeqësisht për ne që jemi në sektorin energjetik, do të jetë një vit i thatë nga gjithçka duket.
Por nëse përpara 4 apo 5 vitesh ky ishte një ankth shumë i madh për Republikën e Shqipërisë sepse fillonim dhe bënim të gjitha planet sesi do të funksiononte importi, sa do shkonte çmimi i importit, se kur është viti i thatë është për të gjithë rajonin dhe çmimet shkojnë lart, ne këtë ankth nuk e kemi si më përpara pasi sot 10% e energjisë të prodhuar në vendin tonë vjen nga parqet fotovoltaike dhe çka synojmë ne për vitin 2030 është që ta çojmë këtë volum në 30%.
E gjithë strategjia që Qeveria Shqiptare ka ndjekur në fushën energjetike është një strategji e cila garanton sigurinë energjetike, garanton që Shqipëria të kthehet brenda vitit 2030 në një eksportues neto nga një importues neto që është sot dhe mbi të gjitha garanton shërbim me cilësi të lartë dhe çmim më të ulët për qytetarët tanë.
Gjatë vitit 2025 ne kemi shënuar një gur kilometrik përsa i përket çmimit të ofruar për 1 milionë e 70 mijë abonentë familjarë, pasi sfida e energjisë elektrike dhe çmimeve të larta në rajon tashmë ka prekur anë e mbanë vendet që na rrethojnë, ndërkohë që ne kemi arritur ta ulim këtë çmim me 10.5%. E gjitha kjo vjen për shkak të mirë menaxhimit të sektorit energjetik, për shkak të investimeve dhe padyshim të inovacionit, ashtu sicc është dhe ky projekt, ashtu siç Voltalia ka sjellë në Shqipëri inovacionin dhe modernizimin e sektorit tonë.
Këtu do gjeja rastin qw të falënderoja edhe një herë ambasadoren franceze edhe për një mbështetje tjetër. Ne tashmë kemi edhe një partner të ri në krah tonë, përveç BERZH-it, KfW dhe të gjithë donatorëve të tjerë, kemi AFD. AFD-ja e cila ka filluar të luaj një rol konkret dhe të rëndësishëm përsa i përket investimeve në energji dhe mbi të gjitha AFD-ja ka marrë përsipër që të investojë në inovacionin energjetik, siç janë projektet e shumë pritura në sektorin tonë, ‘smart meters’, të cilat do ta çojnë sistemin energjetik në një nivel tjetër dhe do ti japin konsumatorit transparencën e kërkuar duke pasur gjithçka në ekranin e tyre të telefonit.
Energjia, siç ju thashë, është një fushë që të thith, krijon pasion dhe ti mund të flasësh për orë të tëra, por e rëndësishme është që suksesi arrihet veç përmes bashkëpunimit të ngushtë. Suksesi arrihet duke u mbështetur tek partnerë të sigurtë. Suksesi arrihet duke krijuar transparencë dhe suksesi arrihet duke pasur ëndrra për të arritur në të ardhmen ashtu siç Shqipëria, shqiptarët dhe Qeveria e Edi Ramës ka për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Shumë faleminderit që u mblodhët këtu sot. Shpresoj që takimi tjetër të jetë në parkun e Spitallës, Ministër, ku unë po gjej rastin që t’ju ftoj, pasi Voltalia besoj tashmë me suportin tonë dhe eksperiencën e krijuar këtu në Shqipëri do të ecë shumë më shpejt në ndërtimin e atij parku duke i shtuar gjerdanit të energjisë shqiptare një tjetër gur të çmuar, një tjetër park fotovoltaik.
Dhe një këshillë. Sa herë vij këtu shikoj që ka shumë erë. Parqet e integruara janë shumë interesante kështu që ju të Voltalias shikoni që ta përdorni këtë zonë për të vendosur dhe trupat eolik edhe filloni dhe prodhoni përveç energjisë solare dhe atë eolike duke krijuar kështu të gjithë ciklin, për më tepër dhe duke e kthyer edhe në një depozitë natyrore.
Faleminderit të gjithëve dhe punë të mbarë.