U zhvillua sot ceremonia e inaugurimit të selisë së re të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, një moment i rëndësishëm për marrëdhëniet dypalëshe dhe për diplomacinë shqiptare.
Në këtë ngjarje morën pjesë personalitete të larta, përfshirë Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Igli Hasani; Imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare në Selinë e Shenjtë; si dhe Sh.T. Riccardo Paternò di Montecupo, Kancelar i Madh dhe Ministër i Punëve të Jashtme të Urdhrit Sovran të Maltës. Të pranishëm ishin gjithashtu përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Vatikan dhe autoritete të tjera.
Në fjalën përshëndetëse, Ministri Hasani e cilësoi hapjen e kësaj selie të re si një dëshmi konkrete të forcimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, marrëdhënie që ndërtohen mbi dialogun ndërfetar, paqen dhe vlerat universale.
“Dinjiteti njerëzor, respekti për diversitetin, liria fetare dhe drejtësia sociale janë disa prej vlerave të përbashkëta që lidhin Shqipërinë dhe Selinë e Shenjtë. Andaj, kjo shtëpi e re e diplomacisë do të jetë në shërbim të përpjekjeve dhe nismave të përbashkëta për të ndërtuar ura për një botë më të paqtë dhe më solidare,” – u shpreh z. Hasani.
Hapja e kësaj ambasade në seli të re përfaqëson jo vetëm një avancim në rritjen e pranisë diplomatike të Shqipërisë, por edhe një hap të rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar për çështje të përbashkëta, si toleranca fetare, dialogu ndërkulturor dhe solidariteti global.