Fakte tronditëse gjatë takimit të organizuar nga AKIP: iInxhinierët e mbetjeve, Stefan Schatz dhe Lulzim Baumann tregojnë përvojën e dështuar gjermane ku filtrat kushtojnë me shumë se inceneratorët në Shqipëri dhe tragjedinë njerëzore që pritet me mostrat e plehrave në Elbasan, Fier dhe Tiranë
Në një takim informues të organizuar nga Organizata Kundër Importit të Plehrave, inxhinieri i mjedisi dhe autor i studimit shkencor mbi importin e mbetjeve në Shqipëri, Lulzim Baumann, së bashku me gjermanin Stefan Schatz, inxhinier për menaxhimin e mbetjeve nga Gjermania, i cili ka planifikuar ndërtimin e pjesës më të madhe të landfilleve në jug të Gjermanisë, bënë një shpjegim të detajuar të studimit si dhe renditën arsyet se pse ndërtimi i incerenatorëve dhe importi i plehrave është një e keqe e madhe që i bëhet vendit.
Sipas inxhinierit, studimi i bërë në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Mjedisit Gjermane, Transparency International dhe Zero Waste Europe rendit 5 pika kryesore të cilat janë një arsye e mirë që kjo masakër duhet të ndalohet.
Sipas tij, incerenatorët kanë një kosto shumë të madhe, ndërsa shton se në Shqipëri mungojnë ekspertët që do të merren me pasojat që krijojnë incerenatorët për mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve. Një problem që evidenton edhe inxhinieri gjerman Schatz është mungesa e kontrollit, ndërsa shton se në Gjermani nuk do të ishte e lejuar që të ndërtohej një incerenator në një zonë si ajo e Verrisë, kjo për shkak të kushteve që kanë ato toka. Sipas Baumann inceneratorët janë një ndër zgjidhjet më të shtrenjta për menaxhimin e mbetjeve.
Shqipëria po planifikon disa miliona euro investim në këtë fushë. Ndërtimi i inceneratorit në Elbasan është mbi kapacitetet prodhuese të mbetjeve në Elbasan. Incineratori i planifikuar për në Fier ka kapacitet më të madh se sa e gjithë sasia e mbetjeve që prodhohen në Fier, ndërsa inceneratori i Tiranës do të jetë akoma më i madh. “Inceneratorët janë monstra që nuk kanë të ngopur me mbetje”-thanë inxhinierët e mbetjeve.
Përse importi i mbetjeve është një ide e keqe?
Importi i mbetjeve nuk duhet lejuar sepse në Shqipëri: Mungojnë kapacitetet kontrolluese për monitorimin e importit te mbetjeve; Projekligj i Qeverise Rama 92/2016 lejon importimin e 168 mbetjeve të ndryshme; Projektligji nuk ofron ndëshkime serioze kundër importuesve ilegal të mbetjeve të rrezikshme; Lejimi i importit të mbetjeve mund të reduktojë punësimin në sektorin e riciklimit. Projektligji i hap rrugën importimit të mbetjeve nga jashtë për tu djegur në Shqipëri.
(Ky projektligj ndalon importin e mbetjeve vetëm për qëllimet e “depozitimit, eliminimit apo djegies (Incenerim)”, por jo për qëllime të djegies për prodhim të energjisë e cila është e ndryshme nga incenerimi. Kjo përbën një mangësi të mëtejshme të rëndë për shkak të rreziqeve të larta shëndetësore dhe mjedisore të djegies së mbetjeve, veçanërisht kur kryhet në një mënyrë jo te modernizuar). Ka zgjidhje më të pastra, më pak të rrezikshme, më transparente dhe me kosto më të efektshme sesa importi i mbetjeve për të forcuar industrinë e riciklimit te vendit dhe zhvillimin kombëtar të Shqipërisë.
Në çfarë faze është menaxhimi i mbetjeve në Shqipëri? A është incineratori një zgjidhje e mirw për Shqipërinë?
Ekspertët e shoqatës se ricikluesve në Gjermani “German RETech Partnership” kanë zhvilluar një koncept me 5 faza në të cilët zhvillohet menaxhimi i mbetjeve. Bazuar në vlerësimin e Komisionit Evropian konkluzioni është që Shqipëria është akoma në fazën e parë të menaxhimit të mbetjeve. Faza e parë është depozitimi i pakontrolluar. Mbledhja e materialeve për riciklim bëhet së shumti në mënyrë formale pa i respektuar parimet themelore të higjenës dhe ruajtjes se mjedisit.
Faza e dytë është edhe faza ku fillon rregullisht menaxhimi i mbetjeve. Grumbullimit sistematik, në mënyrë të rregulluar dhe të besueshme dhe vendosja e deponive të menaxhuara siç duhet përbëjnë hapin e parë në zhvillimin e sektorit të menaxhimit të mbeturinave… Faza e tretë përfshin grumbullimin e ndarë të mbetjeve. Faza e katërt përfshin zgjerimin e industrisë së riciklimit, prodhim gazi dhe çfarë mbetet shkon në incineratore. Faza e pestë është ekonomia rrethore ku mbetja konsiderohet si burimi ku pjesa më e madhe riciklohet, pjesa që mbetet përdoret për rikuperim energjie dhe vetëm mbetjet e padjegshme dhe hiri shkon në landfill.
Sa realiste është që akoma pa kaluar fazën e parë të shkojmë në fazën e katërt ku kërkojmë djegien e mbetjeve?
Sipas vlerësimit që i është bërë gjendjes se menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri nga Komisioni Evropian kontrolli industrial dhe monitorimi i emisioneve, cilësia e ujit dhe menaxhimi i mbeturinave mbeten ende të dobëta. Grumbullimi i ndarë i mbetjeve nuk ekziston dhe grumbullimi i mbetjeve për qëllime riciklimi është kryesisht in formal. Kapaciteti institucional për të menaxhuar mbetjet mbetet ende i dobët në të gjitha nivelet. Eliminimi i mbetjeve mbetet në masën më madhe jo në përputhje me standardet e mbrojtjes së mjedisit.
Menaxhimi i mbeturinave industriale është i dobët për shkak të mungesës së investimeve dhe zbatimit të dobët të ligjit. Fazat e sipër përmendura janë shumë realiste dhe për një menaxhim sa me të saktë të mbetjeve ata duhet të respektohen. Rruga që po ndërmerr Shqipëria nuk është rruga e duhur. Ne nuk mund të ndërtojmë çatinë e një shtëpie pa i bere themelet. Themelet e menaxhimit të mbetjeve janë grumbullimi sistematik i tyre dhe krijimi i deponive me standarde. Më pas mund të shkojmë në faza të tjera të një menaxhimi më të integruar deri në vendosjen e çatisë që në këtë rast është ndërtimi i inceratorëve.
Një krahasim i thjeshtë i inceneratorit të Fierit dhe një inceneratori në Gjermani sipas standardit evropian në Gjermani digjen vetëm mbetjet që nuk riciklohen, që janë vetëm 11% e totalit të mbetjeve(Umëelt Bundesamt, 2017) . Mbetjet elektrike, spitalore apo toksike kanë proces tjetër. Incineratori TAD ka kushtuar 172 milion Euro, 36% e kostove pra 61,4 milion euro ka kushtuar vetëm sistemi filtrues i ajrit i cili shërben për të eliminuar tymrat me gazrat e sipërpërmendur që janë shumë të rrezikshme për shëndetin e njeriut. Incineratori TAD ka një kapacitet prej 160.000 ton/vit dhe ka krijuar vetëm 59 vende pune. Bazuar në inceneratorin TAD, incineratori i Fierit ka 45% e kapacitetit te tij me 66,000 deri ne 73,000 ton/vit. Sipas kësaj llogarie të thjeshtë incineratori i Fierit duhet të kushtoje rreth 78 milion euro ku vetëm 28 milionë euro do të kushtonte sistemi i filtrimit bazuar në standardet Gjermane dhe Evropiane.
Si ka mundësi që një incinerator plus një landfill dhe impiant për trajtimin e mbetjeve të kushtojë vetëm 22 milionë euro ku për të njëjtin kapacitet në Gjermani për një incenerator vetëm filtrat kushtojnë deri me 28 milionë euro?
Një ekspert gjerman që e njeh mirë inceneratorin thotë që me këtë shumë parash mund të ndërtohet vetëm një incenerator pa filtra dhe ndikimi në mjedis do të jetë i njëjtë sikur të djegim mbetjet në natyrë vetëm se këtë herë të rrethuar nga 4 mure. Një eksperte nga Universiteti Teknik i Berlinit (Daniela Paniagua) thotë që një incinerator që djeg mbetje me pothuajse gjysmën organike do të ketë nevojë për shumë naftë ose vaj në mënyrë që të bëhet djegia. Daniela gjithashtu thekson që në situatën që ndodhet Shqipëria incineratori nuk është zgjidhja më e mirë. Inceneratori mund të bëjë sens në vende si Gjermania ku ndarja e mbetjeve dhe riciklimi funksionon shumë mirë dhe në incinerator shkojnë vetëm mbetjet e pariciklueshme. Daniela gjithashtu thekson që incineratori ka nevojë gjithmonë për mbetje dhe nëse Shqipëria një ditë do i respektoje kërkesat e EU-së për menaxhimin e mbetjeve, Shqipërisë do i lindë nevoja për import të mbetjeve.
Po hirin që është shumë i rrezikshme mbas djegies ku do përfundojë?
Pas djegies 15% është përbërje hiri domethënë nga djegia e rreth 70,000 ton në vit do të prodhohen rreth 10,500 ton hir me përbërje të rrezikshme. Në përmbledhjen jo teknike të vlerësimit të ndikimit në mjedis për inceneratorin e Fierit (emc studio) zgjidhja për hirin është që të depozitohet në landfille. Duke ditur se një pjesë e hirit është mbetje toksike dhe kërkon trajtim special nuk mund ta dërgojmë në një landfill së bashku me pjesën tjetër të hirit sepse do të shkaktonte probleme të ndryshme shëndetësore për komunitetin për rreth.
Rreziku që na kanoset nga tymrat toksik është shumë i madh për mjedisin dhe shëndetin e njerëzve. Në Verri, zona e ndërtimit të inceneratorit nuk ka të dhënë për ndotjen e ajrit. Të dhënat më të afërta ndodhen në Fier rreth 7km larg ku ndotja e ajrit është përtej standardeve evropiane. Së bashku me ndërtimin e inceneratorit është e qartë që ndotja e ajrit do të bëhet edhe një problem më serioz.
Nga do të vijnë mbetjet për plotësimin e kapacitetit të inceneratorit të Fierit?
Prodhimi ditor i mbetjeve në qytetin e Fierit varion nga 100-137 ton/ditë mbetje urbane, ndërsa prodhimi vjetor shkon deri në 50,000 ton mbetje në vit. Pjesën me të madhe e zënë mbetjet organike me 46%, 15% plastika dhe 15% letra. (DOKUMENTI I STRATEGJISË SË ZHVILLIMIT TË TERRITORIT, hartuar nga Bashkia FIER).
Incineratori e ka kapacitetin 180-200 ton/ditë ndërsa në qarkun e Fier prodhohen mbetje gjithsej 165 ton/ditë. Po riciklimi? Çfarë thonë 4 kompanitë e riciklimit në Fier? Po standardet Evropiane?
Shoqata e ricikluesve shqiptare me në krye Bardhyl Balteza pranojnë se ndërtimi i inceneratorëve është një vdekje e industrisë së riciklimit. Bashkimi Evropian ka vendosur kuotat për mbetjet bashkiake qe te riciklohen deri ne 65%. Nga ministria e mjedisit ne 2016 janë publikuar vizionet e mëposhtme:
Deri në 2020: Riciklimi dhe kompostimi 55% për mbetjet bashkiake Deri në 2025: Përfitimi i energjisë 15% i mbetjeve bashkiake. (Ministria e mjedisit) Miratimi i strategjisë kombëtare të administrimit të mbetjeve të ngurta dhe ligjit për administrimin e integruar të mbetjeve gjatë vitit 2012 si dhe zbatimi i tyre do të sigurojë një menaxhim të mbetjeve duke ruajtur:
Mjedisin, eliminuar ndotjen e ujërave nëntokësore, sipërfaqësore, territorit dhe ajrit.
Zvogëlon ndikimin negativ në shëndetin e popullsisë
Ulet niveli i varfërisë.
Ndihmon për një zhvillim të qëndrueshëm
Nga sa është përmendur më sipër ndërtimi i incineratorëve nuk respekton absolutisht as një nga objektivat e qeverisë. Nëse Shqipëria ndjek standardet evropiane, gjë që është e detyruar që ta bëjë në momentin që është pjesë e BE-së do i duhet të riciklojë deri në 2030, 65% të mbetjeve bashkiake. Nëse respektojmë objektivat e Republikës së Shqipërisë duke ricikluar dhe kompostuar deri ne 55% te mbetjeve bashkiake deri në 2020 do te thotë që ngelet për tu djegur vetëm 46% e mbetjeve që në rastin e Fierit përbën 23,000 ton/vit gjë që do të mbulonte vetëm 33% te kapacitetit të inceneratorit. Kjo do të thotë që për kapacitetin e inceneratorit do te duhen më shumë se 3 qytete të madhësisë së Fierit së bashku.
Surpriza për Tiranën. Si e dha qeveria tenderin e një incineratori gjigand kur nuk është bërë akoma një projekt aplikim?
Në teori nëse ky incenerator nuk i respekton standardet e mbrojtjes se mjedisit kemi të bëjmë me një rrezik shumë të madh shëndetësor, duke konsideruar që ndotja e ajrit në Tiranë është momentalisht rreth 10 herë mbi standardet Evropiane. Bëhet fjalë për një monstër që do të djegë rreth 920ton/ditë, rreth 5 herë më i madh se ai i Fierit, me një vlerë prej 140 milionë euro. Fituar nga shoqëria “Integrated Energy” e cila bëri një ofertë të pa kërkuar për ndërtimin e një inceneratori. Qarku i Tiranës prodhon 130ton/ditë mbetje. Kapaciteti i inceneratorit prej 920ton/ditë përballë 130ton/ditë të prodhuar në Tiranë. Firma “Integrated Energy” ishte e vetmja në garë, shoqëri që rezulton e themeluar në Holandë vetëm pak ditë para paraqitjes së ofertës për ndërtimin e inceneratorit. Ndërtimi i inceneratorëve do i kushtojë shumë shqiptarëve si nga ana shëndetësore nëpërmjet ndotjes se mjedisit ashtu edhe ekonomike sepse është një investim miliona euro i cili shkatërron industrinë e riciklimit dhe krijon shumë pak vende pune. Inceneratori nuk është zgjidhja e duhur për situatën e Shqipërisë./Shekulli