Më 16 prill 2025, Gjykata e Posaçme do të japë vendimin për të pandehurit e dosjes së Inceneratorit të Tiranës, ku mes tyre është edhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka.
Pretenca për të pandehurit:
- Lefter Koka 4 vjet burg
- Bledar Karoli 4 vjet burg
- Fatjon Murati 4 vjet burg
- Taulant Tushe 4 vjet burg
- Namik Simixhi 4 vjet burg
- Valbona Ballgjini 2 vjet burg, 4 vjet sherbim prove
- Sidita Kopliku 2 vjet burg, 4 vjet sherbim prove
- Jetmir Llapaj 2 vjet burg
Kujtojmë që përinceneratorin e Fierit, ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka është dënuar me 10 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar iu zbrit në 6.8 vite qëndrim pas hekurave.
Për inceneratorin e Elbasanit, ish-ministri Koka u dënua me 10 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar do të kryejë 6.8 burg edhe për këtë çështje.
AKUZAT E PROKURORISË SË POSAÇME
Sipas SPAK, nga aktet e administruara kontrata lidhur mes Autoritetit Kontraktor Ministria e Mjedisit dhe shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k,, me kosto të investimit të parashikuar nga shoqëria koncesionare në vlerën 128.248.330 Euro (njëqind e njëzet e tetë milion e dyqind e dyzetë e tetë mijë, e treqind e tridhjetë) pa TVSH, janë konstatuar veprime të kundraligjshme të kryera për shkak të detyrës të personave të pandehur.
Veprimet e kundraligjshme janë konstatuar në lidhje me propozimin për dhënien e bonusit shoqërisë propozuese “Integrated Energy BV”, anëtarët e Komisionit të Dhënies së Koncesionit, të përbërë nga të pandehurit Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Kopliku, Etleva Kondi, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, në bashkëpunim me Ish Ministrin e Mjedisit, të pandehurin Lefter Koka, Alba Thoma, Drejtoreshë e Drejtorisë Juridike të Ministrisë së Mjedisit, Bledar Karoli, Përgjegjës i Sektorit të Prokurimeve në Ministrinë e Mjedisit.
Sipas organit të hetimit rezulton se, anëtarët e Komisionit kanë propozuar dhënien e bonusit, pa hartuar një raport përmbledhës, si dhe kur është bërë propozimi për dhënien e bonusit, komisioni i dhënies së koncesionit ende nuk kishte sqaruar kostot e projektit. Nga ana e zyrtarëve të Autoritetit Kontraktor, Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, Drejtoresha Juridike e Ministrisë së Mjedisit, Alba Thoma, Përgjegjësi i Sektorit të Prokurimeve në Ministrinë e Mjedisit, Bledar Karoli, është përgatitur dhe dërguar më pas projektvendimi në Këshillin e Ministrave, për dhënien e bonusit prej 8 % të pikëve totale të garës shoqërisë propozuese.
Në lidhje me procedurën e dhënies së koncesionit rezulton se shoqëria propozuese “Integrated Energy BV” (në përbërje të së cilës është aksionere edhe shoqëria e shtetasit Klodian Zoto, “Integrated Technology Services” sh.p.k)ka qenë në dijeni të rrethanave konkurruese para se të shpallej procedura.