Policia e Korçës ka reaguar pas disa orsh në lidhje me incidentin e regjistruar sot gjatë takimit elektoral të kandidatit të PS në Maliq Gëzim Topçiu.
Deputeti i PD Edmond Spaho denoncoi sot më herët gjatë ditës se Topçiu gjatë një takimi me traktoristët, ka kërkuar votat për zgjedhjet e së dielës.
Por teksa ka filmuar këtë moment, që sipas tij është një aktivitet i palejuar që zhvillohet në kuadër të fushatës elektorale Spaho u shpreh se ndaj tij është ushtruar presion.
Sakaq policia shprehet se Topçiu dhe Spaho janë shoqëruar në komisariat të cilët janë marrë në pyetje dhe më pas janë lënë të lirë.
Policia njofton se janë administruar pamjet filmike të regjistruara gjatë këtij aktiviteti për të bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes.
Njoftimi i policise:
Sqarim i Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë:
Në lidhje me një rast të publikuar në media, ku gjatë një aktiviteti të zhvilluar nga kryetari i bashkisë Maliq, njëkohësisht edhe kandidat i PS-së, shtetasi G. T., me një grup fermerësh në fshatin Vreshtas, Maliq, pretendohet se është ushtruar presion ndaj deputetit të PD-së, shtetasit E. S., ju sqarojmë se:
Nga ana e Specialistëve për Hetimin e Krimit u kërkua të paraqiteshin në ambientin e Komisariatit të Policisë Maliq, kryetari i bashkisë Maliq G. T. dhe deputeti i PD-së E. S., të cilët janë pyetur dhe intervistuar në lidhje me këtë ngjarje. Pas intervistimit të kryer, të dy shtetasit janë lënë të lirë.
Nga ana e Policisë janë kryer të gjitha veprimet procedurale dhe janë administruar pamjet filmike të regjistruara gjatë këtij aktiviteti.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për vlerësim.