Dhjetëra pasagjerë të linjës Bari-Durrës kanë qëndruar me orë të tëra në pritje të tragetit GNV dhe askush nuk u kthente përgjigje për vonesën disa orëshe, dy ditë më parë.
Një qytetare denoncoi për ‘Faxweb’ duke u shprehur se pasagjerët kanë pritur mbërritjen e tragetit dhe fillimin e imbarkimit, dhe askush nuk i ka sqaruar për vonesën e cila i la në pritje me orë të tëra.
Në këtë mënyrë ditën e sotme Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, z.Afrim Bakaj,ka zhvilluar një takim me Komitetin e Sigurisë me prani dhe të Prefektit të Qarkut, z.Roland Nasto.
Kreu Ekzekutiv i APD-së, ftoi operatorët privat dhe përfaqësuesit e Institucioneve Shtetërore, të bashkëpunojnë me qëllim krijimin e të gjithë lehtësirave për udhëtarët, por edhe performancës nga ana e punonjësve privat dhe atyre shtetërorë.
Bakaj tha se lidhur me incidentin e regjistruar më datë 11.08.2018 në sheshin e trageteve në Port -Durrës, ka filluar procedimi penal, në ngarkim të shtetasit I. M. 35 vjeç, banues në Itali, me detyrë roje fizike të linjës Bari – Durrës – Bari, pasi ky shtetas është konfliktuar dhe ka goditur me sende të forta disa shtetas që do të udhëtonin me traget për në Itali.
“Raste të tilla nuk duhet të tolerohen brenda territorit të Portit të Durrësit, ndaj marrë shkas nga ky rast, ju kërkoj angazhim maksimal duke nisur nga Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit, Kapitenerisë, Forcës së Sigurisë Portale dhe operatorëve privat, shërbim sa më dinjitoz dhe qytetar nga punonjësit dhe shmangie të vonesave nga Agjencitë lundruese”, tha z.Bakaj gjatë fjalës së tij.
Më tej Drejtori i APD-së, ftoi të gjithë udhëtarët që do të hasin probleme në kominikim me çfardo punonjës, privat apo shtetëror qoftë ai të mos ndalen për ti denoncuar këto raste me të gjithë drejtuesit e APD-së, duke kontaktuar me të gjitha format elektronike apo dhe fizike. “Jemi këtu për tu shërbyer qytetetarëve me korektësi maksimale”, tha Bakaj.
Lidhur me rastin Drejtoria Vendore e Policisë Durrës bën të ditur se: “Në lidhje me një incident që ka ndodhur më datë 11.08.2018 në sheshin e trageteve në Port – Durrës, informojmë se: Konflikti ka nisur midis ekuipazhit të tragetit të linjës Bari -Durrës-Bari dhe pasagjerëve. Pasagjerët ishin acaruar pasi kishin disa orë që prisnin për ti nisur për udhëtim, por trageti kishte pësuar defekt dhe kishte njoftuar se do të kishte vonesë në nisje.
Në lidhje me ngjarjen ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje ” , në ngarkim të shtetasit I. M. 35 vjeç, banues në Itali, me detyrë roje fizike të linjës Bari – Durrës – Bari, pasi ky shtetas është konfliktuar dhe ka goditur me sende të forta disa shtetas që do të udhëtonin me traget për në Itali. Konflikti u shua me ndërhyrjen e punonjësve të Policisë së Kufirit Durrës.
Drejtoria Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Durrës për rastin në fjalë, me qëllim analizimin dhe parandalimin e rasteve të tjera i ka kërkuar zyrtarisht Autoritetit Portual Durrës mbledhjen e Komitetit të Sigurisë me të gjithë Operatorët në marrjen e masave të nevojshme.”
Autortieti Portual Durrës reagoi mënjëherë duke mbledhur Këshillin e Sigurisë dhe duke u kërkuar institucioneve bashkërendim të punës, me qëllim krijimin e lehtësirave në udhëtim dhe përpunim për të gjithë qytetarët që udhëtojnë nga Porti më i madh i vendit, ai i Durrësit në drejetim të Italisë dhe anasjelltas.
(E.V/Faxweb.al)