Në një intervistë për Ora News, ekonomisti Dritan Shano ka komentuar raportin e INSTAT, ku thuhet se 500 mijë shqiptarë kanë pushuar jashtë vendit për këtë sezon turistik.
Ai thotë se kjo është alarmante dhe se sa i takon turizmit çalojnë ato aspekte që janë në dorën njerëzore.
“Të dhënat e INSTAT nuk do i besoja edhe sikur të isha Drejtor i INSTAT vetë. Por kjo është një shifër që tregon se shqiptarët gjejnë me vend të shkojnë të rigjenerojnë trupin dhe mendjen e tyre jashtë Shqipërisë dhe jo në Shqipëri.
Është një këmbanë alarmi për ata që merren me politika për turizmin dhe për zhvillimin e infrastrukturës jo vetëm rrugore por edhe energjitike dhe dixhitale, por edhe sektorë të tjerë që mbështesin turizmin si bujqësia që ti vënë gishtin kokës dhe të thonë:
Pse duhet të ikin kaq shumë para jashtë këtij vendi në një kohë që ne Perëndia na ka pajisur mirë me det, mal, kodra. Është pjesa që i duhet të bëjë njeriut që nuk shkon dhe që detyron paratë e shqiptarëve që krijohen me mund dhe djersë të emigrojnë dhe ato në vende që punët i kanë më mirë sesa ne sigurisht”, u shpreh ai.
Po ashtu Shano mohon që këto shifra të larta të jenë tregues i mirëqënies së shqiptarëve.
“Nuk besoj se është e tillë. Shifrat e rritjes rishikohen me ulje rregullisht. Kjo tregon që individi shqiptar që ka filluar ti japë peshën që i takon pushimeve, gjykon që këtë gjë e arrin më mirë diku tjetër sesa në Shqipëri”, tha ai.
(S.SH/Shuplaka)