Artan Fuga ishte i ftuar i emisionit “Oda” në Fax News me gazetaren Edona Haklaj ndërsa ka folur për botimin e tij të fundit me titull “Shoqëri Piramidale”.
Fuga foli për veprën e tij duke iu referuar edhe filozofit të lashtësisë, Aristotelit, por me këtë rast në shumë rrethana iu referua edhe situatës politike që po kalon vendi, duke dhënë shpjegime filozofike mbi faktorët dhe fenomenët që e kanë krijuar atë si të tillë.
Profesori e konsideron shoqërinë shqiptare në nivelin aktual si pjesë e një krize të pamendueshme politike dhe shoqërore, ndërsa shpëtimin nga kjo situatë ai e shikon me rikthimin tek logjika rracionale.
“Mua më ka shqetësuar kriza e mendimit, që do të thotë se kanë ndodhur ngjarje tërësisht të pamendueshme. Ose rasti shqiptar, politika shqiptare është e pamenduar nga shkenca, takoj mijëra njerëz në muaj dhe ajo që më shqetëson është se ne shqiptarët jemi jo normal. Në kërkimin shkencor kjo është e papranueshme sepse nuk mund të pranohet që të ketë një çmenduri sociale apo politike. Mundësia e dytë është që nuk jemi të çmendur por rrethana të ndryshme na kanë sjellë në këtë situatë. Nuk ka një dalje nga intelekti njerëzor, por kjo krizë e pamendueshme politike mbase ka nevojë për një zgjidhje radikale nga pikëpamja njerëzore. Unë dua që në mendjen e qytetarëve, politikanëve dhe gazetarëve të kthehet logjika rracionale. Përtej etiketimeve, kjo strukturë për të shpjeguar politikën dhe ekonominë është një krizë e kërkimit shkencor. Kam guximin të them se duhet të ndërrohen referencat për të kuptuar shoqërinë shqiptare.
Ne në vitet ’90, ne që kishim në dorë universitetet në atë kohë dhe kishim për detyrë reformimin e jetës shkencore, nuk dimë nëse ajo rrugë që ndoqëm ishte e gabuar, nuk e dinim me saktësi se çfarë po bënim. U futëm në këto referenca, (permend disa emra autorësh përfshirë Arsitotelin, Spinozën, etj) dhe këta autor të cilëve ju referuam na dukeshin të bukura dhe i përvetësuam. Por çfarë ndodhi, demokracia nuk eci përpara por mbrapsht deri në atë pikë kur parlamenti nuk ka opozitë, kur deputetët dalin nga lista, në drejtimin e institucioneve vendosen njerëz me nivel të ulët intelektual. Shikon se reagimi qytetar është shumë i vakët, dhe zgjedh atë rrugë që ka zgjedhur se sa të luftojë për vendin dhe të drejtat e veta”.
Duke qëndruar tek analiza e shkaqeve të deformimit të vlerave që ka demokracia, edhe për shkak të referimeve që janë bërë për ndërtimin e saj, Fuga pranon një ‘gabim’ të tyre. Ky sipas profesorit është fakti se ata janë frymëzuesit e demokracisë por jo analizuesit e saj, që do të thotë se nuk e kanë jetuar atë për të cilën folën dhe shkruan, produktin e saj.
“Për mua të gjithë autorët të cilëve u jemi referuar janë të mëdhenj, janë etërit e frymëzimeve demorkatike por kanë një gabim. Ata e kanë frymëzuar demokracinë por nuk e kanë analizuar demokracinë, pra nuk kanë parë rezultatin që është sigurisht bota demokratike e shekullit 20. Është një arritje e madhe e njerëzimit, por kjo nuk do të thotë se është e shkëlqyer, me të ardhme të siguruar dhe e pathyeshme. Por kjo nuk është e vërtetë, nëse udhëhiqet nga papërgjegjshmëria sigurisht që dështon. Pse kthehem tek Aristoteli, pra në të kaluarën për të kuptuar të sotmen? Shpesh herë gjejmë shpjegime më të mira tek e kaluara e largët. Sepse Aristoteli ka jetuar pas një sërë krizash demokratike në Greqi. Ai vjen me mësimin se nuk ka sens historia, apo një drejtim që shkon në mënyrë të pashmangshme, si një ligj natyror. Nëse është një grup më i pasur dhe i kulturuar jo domosdoshmërisht kjo e dyta, është kjo që sundon. Dhe nëse është qytetari masiv më i fortë me lëvizjet e veta sociale, është qytetari që e ka pushtetin. Pra këto raporte ndryshojnë, nga çasti në çast”, tha profesor Fuga.
Por cili është raporti mes qytetarit dhe pushtetit, e sidomos kur ky i fundit është dominues, i ashpër dhe jo konform principeve të demokracisë? Për këtë, Fuga zbërthen raportet:
“Autorët e sotëm post demokratik, që e analizojnë demokracinë, janë shumë realist dhe e njohin Aristotelin. Natyra e njeriut është të jetojë i lirë. ‘Nëse njeriun e nxjerr nga Polisi, ai ka gjasa të bëhet i keq’, thotë Aristoteli. Ata që qeverisen keq në vend të qeverisen mirë, pranojnë shtypjen, ai që shtypet identifikohet me robin dhe nuk don të dali nga kjo gjendje se ndjehet më i sigurt, i patrazuar dhe i parrezikuar më shumë. Dhe në këtë rast, Arsitoteli thotë se nuk shkojmë drejt demokracisë, por anarkisë, vetëizolimit e gjërave të tjera të këtij lloji. Nëse kuptojmë Aristotelin, atëherë janë gjëra të mirëkuptueshme dhe të riparueshme këto që ndodhin”.
Po kur qytetari vendoset mes dy zgjedhjesh, përshembull si ajo e përcaktimit të zgjedhjeve me 30 Qershort, pastaj ç’dekretim i tyre dhe dekretimin e një date tjetër, ajo e 13 Tetorit, cila është zgjedhja që duhej të bënte qytetari? Fuga e ndërtoi vetë këtë pyetje për të cilën dha këtë përgjigje:
“Qytetari bëhet i keq, jo familjar apo individual, por në rolin e tij në qytet, që pranon sundimin. Çfarë ndodhi? Kishte dy data zgjedhjesh, qytetari duhet të kërkojë një datë dhe kur jepen 2 për të votuar ai duhet ti refuzojë të dyja. Shumë prej qytetarëve shesin votën, jo për shkak të tyre, por që ka një sistem që karkolun interesat e vete. Nëse më intereson të rri i nënshtruar, rri i nënshtruar. Platoni i vendosi njerëzit në një shpellë të errët dhe ata nuk do mund të qëndronin pas kësaj në diell se i verbonte drita. Nëse qyteti nuk është i ndërtuar mbi virtytin, qytetari nuk mund të jetë i virtytshëm.
Nëse një shoqëri është e ndërtuar mirë, rritet shkenca kultuara, nëse në të kundërtën është e ndërtuar politikisht keq, bie gjithçka. Të gjitha varen nga sistemi politik. Nëse do ta mbajë studentin e paditur, nuk mund të bëhet dot i ditur një student. Nëse do ta mbajë studimin shkencor të pazhvilluar, nuk do të ketë zhvillim të studimeve shkencore”.
Gjatë kësaj interviste për “Odën” në Fax News, Fuga nuk mund të rrinte pa folur edhe për rolin e intelektualëve dhe zhvillimin e kërkimeve shkencore.
“Qytetari nuk ka fuqi të ofrojë alternativë, por ka fuqi intelektuale. Unë mendoj se intelektualët dhe kërkuesit shqiptar janë të vendosur në një strukturë të kontrolluar politikisht në mënyra të ndryshme dhe e kanë të vështirë të përfundojnë tezat e tyre të studimeve. Unë mendoj se janë pushtetet që e bëjnë intelektualin të përballojë sulmin, shpifjen, fyerjen, të bëjë një punë me pak mjete sepse financat shkojnë tek ajo pjesë që i kalojnë ata fondet. Problemi është se intelektuali shqiptar ka rënë disi në politizim. Lë fushën e shkencës dhe shkon e merret me politikë, sigurisht ai duhet të japë qëndrimin e tij politik, por në fushën e vet. Në vend që të përhapi artin e vet fillon dhe bërtet në rrugë, në këtë moment nuk je më ai mjeshtri i mirë që shoqëria ka nevojë. Artin tënd e ke dëmtuar, dhe ke dalë në një fushë tjetër që s’është e jotja dhe nuk të besojnë.
Kjo elitë duhet të kuptojë se pa bërë një riekulibrim të pushtetit, do ta çojë sistemin drejt një funksioni apokaliptik dhe shpërthimi. Sot jemi në një përplasje që Aristoteli i quan ‘oligark politik’ dhe në këtë rast masat mund të dalin jashtë kontrollit. Populli e bën historinë por në këtë rast ka ndryshuar pozicion. Jam kundër optimistëve pa limit si marksistët. Populli ka hallet e veta, problemet e veta, në momente të caktuara bëjnë revoltat e mëdha, presionin e madh. Ashtu siç dinë ti bëjnë ata. Historia është e përbashkëta e të gjitha kontributeve dhe jo e një pjese të vetme, dhe në momentin që njëra prej grupeve përbën historinë, prodhon kaos. Nuk mundet dot që një pushtet – thotë Aristoteli – të mendojë për ata që nuk mendojnë për pushtet por që pushteti të mendojë për ata që të kenë pushtet…”
(F.GJ/FAXWEB.AL)