Në interpelancën me ministren e Shëndetësisë, Albana Koçiun për skandalin tek Onkologjiku, deputetja e PD Zheni Gjergji, kryetare e komisionit parlamentar të shëndetësisë ka mbajtur fjalën e saj në Kuvend.
Gjergji iu drejtua ministres duke i thënë se priste t’ju kërkonte falje qytetarëve dhe të jepte edhe dorëheqjen pas skandalin që u raportua pak ditë parë.
“Sinqerisht zonja ministre, mendova që në fjalën tuaj do të kishte një reflektim, do të kishit kërkuar falje mijëra qytetarëve që përplasen çdo ditë në Spitalin Onkologjik dhe ndoshta me ndërgjegjen tuaj do të kishit dhënë edhe dorëheqjen, sepse ky është një rast flagrant me të cilin janë përballuar shqiptarët në Onkologjik.
Zonja ministre, tani që flasim, janë me dhjetëra pacientë që rrinë në këmbë në një korridor të errët, pa stola, pa ajër të kondicionuar, në katin e parë të Onkologjikut, duke pritur të takohen me mjekët. Përveçse në moshë, disa edhe në gjendje të rëndë për shkak të sëmundjes, mezi qëndrojnë. Mos harroni se më të shumtët kanë udhëtuar dy ose tre orë që kanë ardhur nga gjithë Shqipëria. Në shumicën e rasteve ata marrin një përgjigje: duhet të prisni! Ka radhë, medikamenti mungon!
Pritjes së gjatë i shtohet ankthi se çfarë do të bëhet me të afërmin e tyre dhe zgjidhjen e gjejnë tek një farmaci aty afër që fut kontrabandë disa ilaçe apo tek klinikat dhe spitalet private.
Kjo ëhstë gjendja e pacientit sot në Onkologjik. Ata njihen në fakt. Unë kam dhe emrat e tyre po për arsye etike nuk i bëj publike sepse ata kanë frikë druhen se do të kenë pasoja nëse bëjnë kallëzime të hapura. Ju nuk folët për këtë ministre në fjalën tuaj.
Dhe për të kaluar pastaj tek politikat shëndetësore, pyetja ime është e drejtpërdrejtë për ju: a kanë arritur politikat shëndetësore përmirësimin e sistemit të sëmundjeve tumorale në institucionet shëndëtësore të shëndetit publik?! Përgjigjia është jo!”, tha deputetja në Kuvend.