Naftëtarët e Ballshit janë duke zhvilluar një interpelancë live me Kryeministrin Rama dhe dy ministrat Ahmetaj dhe Gjiknuri.
Naftëtarët kanë shtruar 3 kërkesa për qeverinë.
Ata kërkojnë që rafineria të vazhdojë punën.
Ata kanë kërkuar pagesat e prapambetura dhe miratimin e statusit të naftëtarit.
“Së pari, kërkojmë fillim dhe vazhdim i mbylljes së punës së rafinerisë, me premtimin tuaj.
Së dyti, të garantohen detyrimet e punonjësve si pagat e prapambetura dhe detyrimet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore.
Së treti, implementimi i statusit të naftëtarit i miratuar para një viti.”u shprehën naftëtarët.
Gjatë komunikimit me Kryeministrin naftëtarët thanë se një tjetër problem shqetësues është dhe reparti i mbyllur i sëmundjeve profesionale.
“Mallakastra është zhytur në krizë, punonjësit janë mbytur në kredi nëpër banka. Shpresën e kemi vetëm tek ju. Ta kthejmë në jetë industrinë e përpunimit të thellë të naftës, si i vetmi aset me vlerë në gjithë vendit tonë.
Jo më kot i përmenda këto probleme kryesore sepse me to janë të lidhura shumë e shumë të tjera. Është paradoks dhe fatkeqësi e madhe që 120 shokë tanë, kanë dalë në pension dhe nuk kanë ku mjekohen.
I vetmi repart i sëmundjeve profesionale që ka qenë në Tiranë është mbyllur. Ndaj kërkojmë të hapet sa më shpejt ky repart i domosdoshëm dhe ta shijojmë pak këtë jetë që na ka mbetur.”thanë më tej naftëtarët.
(F.G/Faxweb)
Discussion about this post