Në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar policor dhe si rezultat i koordinimit mes Interpol Tirana dhe homologëve të saj në Ankara dhe Athinë, u finalizuan me sukses procedurat për ekstradimin e dy shtetasve të kërkuar për vepra penale të rënda.
Në Turqi u ekstradua shtetasi Burak Kara, 39 vjeç, i lindur në Turqi, i dënuar nga Gjykata e Mersinit me 8 vjet e 4 muaj burgim, pasi në vitin 2011 ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë ndaj një shtetaseje turke, ndërsa ndodhej në gjendje të dehur.
Pas vendimit gjyqësor, Kara kishte mbetur me rreth 4 vjet e gjysmë për të vuajtur nga dënimi i dhënë.
Në Greqi u ekstradua shtetasi I. A., 59 vjeç, i lindur në Bullgari, i cili ishte shpallur në kërkim nga autoritetet greke, nën akuzën për ndërmjetësim në birësime të kundërligjshme.
Ky shtetas dyshohet se, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka organizuar transportimin e grave shtatzëna në Greqi dhe ka ndërmjetësuar për dhënien e foshnjave për birësim, kundrejt shumave që varionin nga 2000 deri në 4000 euro për rast. Ai u arrestua nga Policia Kufitare në pikën e kalimit kufitar në Korçë.
Interpol Tirana vijon punën për lokalizimin dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.
Njoftimi i policisë:
Interpol Tirana/Ekstradohen në Turqi dhe në Greqi, 2 shtetas.
✅Në Turqi u ekstradua një shtetas i dënuar për marrëdhënie seksuale me dhunë.
✅Në Greqi u ekstradua një shtetas i akuzuar për ndërmjetësim për birësim të kundërligjshëm.
Si rezultat i koordinimit të veprimeve operacionale të Interpol Tiranës me homologët e Interpol Ankarasë dhe Interpol Athinës, u finalizuan procedurat për ekstradimin nga Shqipëria, të shtetasve:
-Burak Kara, 39 vjeç, i lindur në Turqi, sepse Gjykata e Mersin, në vitin 2022, e ka dënuar këtë shtetas, me 8 vjet e 4 muaj burgim, pasi në vitin 2011, në gjendje të dehur, ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë, me një shtetase turke, në banesën e një shtetaseje tjetër, gjithashtu turke, në Mersin. Nga dënimi, 39-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur rreth 4 vjet e gjysmë burgim;
-I. A., 59 vjeç, i lindur në Bullgari, sepse ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Athina, mbi akuzën se në bashkëpunim me të tjerë, gjente gra shtatëzënë (në vështirësi ekonomike), të cilat i çonte në Greqi për të lindur dhe më pas ndërmjetësonte për dhënien e foshnjës, për birësim. Nga kjo veprimtari kriminale ky shtetas dyshohet se ka përfituar 2000-4000 euro/rast. Ai është arrestuar nga shërbimet e Policisë Kufitare të Korçës.