Prej datës 2 deri më 6 Tetor, në Tiranë, zhvillohet Konferenca Rajonale e organizuar nga Qendra e INTERPOL-it dhe e sponsorizuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Zyra për Narkotikët dhe Agjencitë Ligjzbatuese Ndërkombëtare.
Pjesëmarrës në këtë konferencë dhe Workshop, janë përfaqësues të lartë të INTERPOL-it, të Departamentit të Shtetit, të Shërbimit Diplomatik të atashuar në Shqipëri, të Departamentit të Sigurisë Kombëtare nga Uashingtoni, etj.
Qëllimi i konferencës është krijimi i Grupit Rajonal të Punës dhe ushtrimi praktik për bashkëpunimin me sektorin privat gjatë hetimeve kundër kontrabandimit të njerëzve në Ballkan, në kuadër të projektit të Interpolit për rrjetin e specializuar operacional kundër kontrabandimit, mbështetur nga Zyra për Narkotikët dhe Agjencitë Ligjzbatuese Ndërkombëtare (INL), në Departamentin e Shtetit.
Kjo konferencë zhvillohet me pjesëmarrjen e veçantë të z. Hans Halvorsen, Drejtor i Komuniteteve Vulnerabël të Interpol, Përfaqësuesve të Komisionit Evropian, Shërbimit të Sigurisë Diplomatike të Ambasadës së SHBA-së, të IOM-it, Airline Ambassadors, Iniciativës Globale Kundër Krimit të Organizuar, të Kompanive: Western Union, DHL, AIRBNB, UBER. Pjesëmarrësit në trajnim janë anëtarë të rrjetit rajonal të quajtur ISON (Interpol Specialized Operational Network), kundër kontrabandimit të njerëzve nga Shqipëria, Bullgaria, Greqia, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Gjermania, Kroacia, Serbia.
Të gjithë këta janë punonjës policie të këtyre vendeve. Trajnimi ka synim familjarizimin e pjesëmarrësve me metodat e reja të hetimit, ku parashikohet përfshirja e investigimit nëpërmjet kompanive private, që kanë të dhëna mbi personat e dyshuar si të implikuar në veprimtari të paligjshme. Trajnimi pasohet nga 3 ditë ushtrimi praktik i një hetimi të simuluar, ku për zgjidhjen e çështjes aplikohet bashkëpunimi me kompanitë private dhe përdorimi i bazave të të dhënave të INTERPOL-it. Gjithashtu takimi synon rritjen e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit midis vetë anëtarëve të rrjetit ISON. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit mbështet dhe garanton mbarëvajtjen e këtij takimi.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki ÇAKO, ka shprehur vlerësimin e tij lidhur me faktin që INTERPOL-i organizon dhe zhvillon të tilla takime si një mundësi për oficerët e policive të vendeve të ndryshme, që të shkëmbejnë eksperiencat e tyre dhe të bashkëpunojnë.
Çako ka përgëzuar të gjithë pjesëmarrësit në këtë takim sensibilizues, në kuadër të rrjetit të krijuar nga INTERPOL, në lidhje me çështje kaq të ndjeshme siç është migracioni i parregullt dhe trafikimi i qënieve njerëzore. Gjithashtu ka theksuar se këto dy fenomene janë prej kohesh në fokusin e luftës së strukturave të Policisë Shqiptare ku përmes ndihmës së aktoreve ndërkombëtarë, si INTERPOL janë arritur rezultate konkrete.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Çako ka nënvizuar se do të ketë vetëm luftë pa kompromis ndaj krimit të organizuar dhe çdo forme tjetër të paligjshmërisë, duke sinkronizuar punën me organizatat policore në rajon dhe vendet partnere, drejt përmbushjes së standardeve perëndimore. Bashkëngjitur fjala përshëndetëse e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Haki Çako.
“I nderuar Z. Hans HALVORSEN, Të nderuar përfaqësues të Organizatave Ndërkombëtare, Të nderuar përfaqësues të sektorit privat, Të nderuar të ftuar, kolegë dhe pjesëmarrës! Së pari, më lejoni të përcjell konsideratat e mia personale si dhe të shpreh kënaqësinë time, që ky takim i radhës, kaq i rëndësishëm, zhvillohet në kryeqytetin e vendit tim, në Tiranë.
Para pak ditësh u zhvillua në Pekin Asamblea e 86-të e Përgjithshme e INTERPOL-it, ku motoja kryesore ishte “Bashkimi i institucioneve policore për një botë më të sigurt”. Një falënderim i posaçëm i shkon Sekretariatit të Përgjithshëm të INTERPOL-it në Lion, Francë, për asistencën e vazhdueshme, për bashkërendimin e aktiviteteve dhe shërbimet që ofron Policia, për të ofruar qasje sa më efiçente në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.
Fakti që INTERPOLI organizon dhe zhvillon të tilla takime në nivel rajonal e ndërkombëtar, është një tjetër tregues domethënës për mundësinë që u ofrohet oficerëve të policive të vendeve të ndryshme, të njihen, të shkëmbejnë eksperiencat e tyre dhe të bashkëpunojnë më nga afër dhe konkretisht Po ashtu, gjej rastin të shpreh vlerësimet e mia për të gjithë pjesëmarrësit në këtë takim sensibilizues, në kuadër të rrjetit të krijuar nga INTERPOL-i, në lidhje me çështje kaq të ndjeshme siç është migracioni i parregullt dhe trafikimi i qënieve njerëzore. Këto dy fenomene janë prej kohësh në fokusin e luftës së strukturave të Policisë Shqiptare, për t’i parandaluar si fenomene mjaft të rrezikshme, ashtu edhe për të goditur dhe luftuar me të gjitha mjetet ligjore personat që janë të përfshirë në këto aktivitete kriminale”.