Një gjyqtare në Fier shfajësoi menaxherin e sigurisë së Bankers Petroleum nga akuza se kërcënoi dhe bllokoi për 20 minuta një grup xhirimi, me argumentin se “puna e gazetarëve nuk kishte impakt aq të madh për shoqërinë” dhe se përbënte “thjesht një lajm”-një interpretim që konsiderohet i rrezikshëm nga ekspertët e medias.
Rëndësia e një informacioni për publikun apo mënyra se si do të shkruhet apo trasmetohet ai është një çështje e përhershme diskutimi në redaksitë e lajmeve, por një gjyqtare në Fier ka vendosur ta “standardizojë” procesin, duke iu futur interpretimit të rëndësisë përmes argumenteve nëse “informacioni ka impakt për shoqërinë” apo është “thjesht një lajm”.
Vendimi i datës 17 korrik 2017 i gjyqtares së Gjykatës së Fierit, Matilda Shalla shfajëson menaxherin e sigurisë së kompanisë së naftës, Bankers Petroleum, Steven Bidwell, i cili u akuzua nga Prokuroria se kishte penguar në mënyrë të paligjshme një grup xhirimi të televizionit “Ora News” teksa po kryente detyrën.
Sipas vendimit gjyqësor, një kopje e të cilit disponohet nga BIRN, grupi i xhirimit-i përbërë nga gazetari Xhemil Beharaj dhe kameramani Çaku Tafa u ndalua për 20 minuta në prill të vitit 2015 dhe iu kërkua kamera, pasi kishin realizuar një intervistë me një ish-punonjës të Bankersit, të aksidentuar në punë.
Prokuroria e akuzoi menaxherin kanadez, Bidwell për veprën penale të “Kundërshtimit të punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, të kryer në bashkëpunim, vepër penale e parashikuar nga neni 235/2 i Kodit Penal.
Përmes vendimit me gabime drejtshkrimore, ku ngatërrohen metodat e raportimit dhe zhanret e gazetarisë, gjyqtarja Shalla e ka rrëzuar akuzën për menaxherin kanadez të sigurisë, me argumentin se puna që po kryente grupi i xhirimit të Ora News “nuk mund të konsiderohet shërbim publik nga ana e gazetarit, por thjesht një lajm, një informim”.
“….në rastin konkret, dokumetari që ata do të përgatisnin dhe që nuk rezultoi të jetë bërë, do të pasqyronte jetën dhe mendimet e një individi mbi shkaqet e aksidentit të tij në punë dhe rrugëtimin e tij nëpër gjykata për marrjen e dëmshpërblimit,” thuhet në vendim.
“Një pasqyrim i tillë, pra evidentimi në media i një historie personale nuk ka një impakt aq të rëndësishëm për shoqërinë në atë shkallë sa të konsiderohet shërbim publik nga ana e gazetarit, por ai përbën thjesht një lajm, një informim,” shtohet në vendim.
Gazetari Xhemil Beharaj i tha BIRN pasi lexoi vendimin se incidenti ndodhi pasi ata kishin bërë një intervistë dhe jo një dokumentar, siç pretendon gjykata.
“Vendimi është një punë alla shqiptare e gjykatës, pa standarde,” reagoi gazetari për BIRN.
Përfshirja e gjykatës në interpretime të tilla për të përcaktuar se çfarë është informacion i rëndësishëm për shoqërinë dhe çfarë jo- konsiderohet një precedent i rrezikshëm për lirinë e shprehjes nga ekspertët e medias.
Flutura Kusari, juriste e të drejtës së medias i tha BIRN se “është e rrezikshme dhe në kundërshtim me standardet ndërkombëtare që gjykata të provojë të definojë se çfarë quajmë lajm dhe kur një informacion është në interes të publikut”.
Pengimi i grupit të xhirimit
Vendimi i gjyqtares Matilda Shalla trajton konfliktin penal të ndodhur më 9 prill 2015 në afërsi të kompanisë Bankers Petroleum, ku gazetari Xhemil Beharaj dhe kameramani Çaku Tafa sapo kishin intervistuar ish-punonjësin Bernard Syno mbi aksidentin në punë dhe peripecitë e tij për të fituar dëmshpërblimin në gjykatë.
Sipas dëshmisë së gazetarit në gjykatë, intervista ishte bërë në rrethinat e kompanisë, në kontekstin e shpërthimit të ndodhur në prill 2015 në puset e kompanisë Bankers Petroleum në Patos-Marinzë.
Sipas vendimit të gjykatës, makina me të cilën po udhëtonte grupi i xhirimit dhe i intervistuari Benard Syno është bllokuar për 20 minuta nga menaxheri në atë kohë i sigurisë, Steven Bidwell, i ndihmuar edhe nga punonjës të një kompanie private të sigurimit.
Gazetari, operatori dhe i intervistuari i thanë gjykatës se ishin ndjerë të kërcënuar, pasi i akuzuari Steven Bidwell, menaxher i sigurisë i Bankers Petroleum (BP), doli nga makina dhe goditi me grushte kofanon dhe u kërkoi kamerën.
Syno tha në gjykatë se dinte anglisht dhe dëshmoi se Bidwell u kishte thënë “Ju nuk do ikni gjallë që këtu nëse nuk jepni kamerën”. Po ashtu edhe operatori Tafa pohoi se kishte pasur frikë.
“Ne nuk lëvizëm nga makina, pasi u trembëm se mund të na merrnin kamerën apo mund të na qëllonin se ishin polici private dhe ata kanë armë”, dëshmoi operatori Çaku Tafa. Ai shtoi se e filmoi të gjithë incidentin nga brenda makinës.
I akuzuari Steven Bidwell nuk u paraqit në gjyq, por u përfaqësua nga dy avokatë. Në një dëshmi të dhënë para oficerit të policisë gjyqësore, e cila citohet në vendimin e gjykatës, Bidwell mohoi të kishte kërcënuar grupin e xhirimit apo të kishte bllokuar rrugën.
Megjithatë, Bidwell ka pranuar në dëshminë e tij se kishte pyetur për kamerën, ndonëse sipas tij “nuk e donte kamerën, por donte të sigurohej që ata ishin personat për të cilët e kishin njoftuar”.
Avokati i Bidwell deklaroi para gjykatës se grupi i xhirimit nuk ishte prezantuar dhe se gazetarët kishin ndërhyrë në interesat e kompanisë Bankers, duke filmuar në një zonë të rrezikshme, ku prania e personave të paautorizuar, pa autorizim dhe pa leje është rreptësisht e ndaluar. Mbrojtja kërkoi pafajësi për Bidwell, duke deklaruar se ai kishte vepruar në përputhje me detyrën e tij.
Gazetari Beharaj i tha BIRN në një bisedë telefonike se pretendimet e paraqitura në gjykatë nuk qëndrojnë dhe se ai e kishte bërë intervistën jashtë rrethimit të sigurisë, pasi nuk ishte lejuar më parë nga roja.
“Për më tepër, ne ishim larguar mbi 1 kilometër nga vendi kur tre makina na zunë rrugën dhe Steven i binte kofanos dhe kërkonte kameran dhe kasetën. Ai u soll si harbut, pa asnjë normë njerëzore dhe etike,” kujton Beharaj për BIRN.
Gjithsesi, Beharaj shpjegoi se nuk kishte bërë padi dhe se në gjykatë ishte paraqit në cilësinë e dëshmitarit.
E kontaktuar nga BIRN, kompania Bankers Petroleum, e cila ka ndërruar pronësi nuk komentoi mbi incidentin apo vendimin e gjykatës.
Trajtimi i gabuar i rastit
Incidenti mes ish-menaxherit kanadez dhe grupit të xhirimit të “Ora News” u mbyll me mbërritjen e policisë ndërsa çështja u hetua më pas nga Prokuroria e Fierit, e cila kërkoi në gjykatë dënimin me 300 mijë lekë gjobë për Bidwell.
Por gjyqtarja Matilda Shalla e shpalli të pafajshëm të pandehurin përmes interpretimeve mbi konceptin e shërbimit publik dhe shkallës së veprimeve penguese të Bidwell.
“..në rastet e pasqyrimit të ngjarjeve me rëndësi për publikun e gjerë, të cilat kanë një impakt të rëndësishëm atëherë shërbimi i kryer nga ana e gazetarit futet në konceptin e shërbimit publik. Në raste të tjera ai konsiderohet si lajm,” shkruan në arsyetim gjyqtarja.
“Gjykata vlerëson se në rastin konkret, veprimet e tij [të të pandehurit] nuk mund të konsiderohen të shkallës së tillë që t’i ketë penguar gazetarët në kryerjen e intervistës dhe pasqyrimit të lajmit. Ai ka kërkuar kameran dhe më pas ka komunikuar me drejtorin për njoftimin e policisë së shtetit, ç’ka tregon për vullnetin e tij për kryerjen e detyrës si menaxher i sigurisë dhe jo për pengimin apo frikësimin e gazetarëve…,” argumenton më tej ajo.
Juristja e të drejtës së medias, Flutura Kusari ngre alarmin se rasti është trajtuar në mënyrë të gabuar, si prej prokurorisë, ashtu edhe prej gjykatës dhe se kjo praktikë është sipas saj një sinjal i keq për gazetarët në Shqipëri.
Kusari shpjegoi se gazetari nuk mund të klasifikohet si punonjës që kryen detyrë shtetërore apo shërbim publik dhe se në këndvështrimin e saj-akti duhej të cilësohej kanosje, mbajtje peng e personit apo edhe tentim shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë.
“E tërë procedura e ndjekur në rastin e gazetarit dëshmon që prokuroria dhe gjykatat nuk janë në gjendje të trajtojnë profesionalisht rastet e kanosjes dhe frikësimit të gazetarëve”, tha Kusari për BIRN.
“Vendimi duhet të merret si sinjalizim për gazetarët, që në rast kërcënimi- shteti nuk do t’i mbrojë ata dhe nuk do t’i mbajë përgjegjës kryesit e veprave penale kundër gazetarëve,” shtoi ajo.
Juristja e të drejtës së medias tha gjithashtu se argumenti i gjyqtares Shala për të vendosur se si gazetarët e kryejnë punën e tyre është në kundërshtim me vendimet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
“Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut, në qindra raste që kanë të bëjnë me lirinë e shprehjes ka thënë që nuk i takon gjykatësve të vendosin se si gazetarët duhet të kryejnë punën e tyre. Andaj ky vendim është në kundërshtim me standardet ndërkombëtare për të drejtën e lirisë së shprehjes,” përfundoi ajo. /Vladimir Karaj-BIRN