Jo rrallëherë është folur këto ditë për koalicionet e mundshme në zgjedhjte e qershorit. Ka patur komente dhe retorika po ende nuk ka një qëndrim zyrtar të asnjërës prej palëve. As PDIU, ashtu si FRD e Bamir Topit, nuk e ka marrë ende një ftesë për të dalë në koalicion me PS në zgjedhjet e 18 qershorit. Megjithatë Mesila Doda, ish-deputete e PD, e cila për herë të parë në këto zgjedhje parlamentare është në krah të Shpëtim Idrizit, thotë se kontaktet nuk mungojnë, në një intervistë për ‘TCH’’.
“Është diçka që po flitet. Nuk kemi folur për terma reale apo kushte për një koalicion të ardhshëm. Ka patur shumë zëra që thonë se duhet të jetë thjesht e majta e bashkuar. Disa të tjerë thonë që duhet të jetë më e zgjeruar. Kjo është çështje e filozofisë me të cilët personat e konceptojnë politikën. Ne jemi forcë e qëndrës, por kemi në parimin tonë principal faktin që Shqipëria është çështja më e rëndësishme, çështja Çame”, deklaron Doda.
Çështja “Çame” duket se edhe këtë herë do të jetë guri i themelit për të qëndruar të bashkuar me PS. Sekretarja e përgjithshme e PDIU-së nuk beson se koalicionet duhet t’i bëjë bashkë projeksioni numerik, por çështjet. E tillë për të është çështja “Çame”, e cila tashmë duhet parë si çështje kombëtare.
“Unë apeloj në një ndërgjegjësim të klasës politike shqiptare, se nuk është më çështja e numrave por e asaj çka duhet të sjellin në politikë. Kjo është ndryshe nga politika e çartur, që ka filluar të marrë ngjyrime kaq të forta këto ditë, apo këtë periudhë para zgjedhjeve. Mbi të gjitha, koalicionet qasen rreth ideve të ngjashme. Nqs është kështu, atëherë kjo do të thotë që çështja Çame duhet të jetë çështje kombëtare, është ajo mbi të cilën ne jemi investuar kaq gjatë. Çështja “Çame” duhet të jetë e një rëndësie shumë të madhe. Tendenca për çështje numrash nuk është pjesë e PDIU. Kemi çështje shumë më të mëdha dhe çështjet kombëtare s’mund të jenë çështje numrash”, thotë Doda.
Mesila Doda e ka një përgjigje edhe për kritikët, që koalicionin qeverisës e shohin vetëm me parti të majta.
“Historia që tentohet të paraqitet sikur PDIU dhe LSI janë dy shemra që duhet të zihen me njëra-tjetrën është jo etike, jo politike dhe nuk ndihmon askënd. Ky është një qiell i madh, ka vend për të gjithë, ne kemi kauzat tona dhe këtë e kemi të pakompromis me asnjë forcë tjetër. LSI bën punën e vetë, PS po ashtu, PD po ashtu, edhe partitë e vogla. S’e kuptoj tendencën për të krijuar histori rozë në politikë”, nënvizon Doda.
Cilat janë pritshmëritë e PDIU-së për 18 qershorin?
“Ne kemi pritshmëritë tona për një rezultat që do rritet. Këtë e shoh në frymën në elektorat. Nuk është një forcë që ka pasur punësime apo pushtet që të marrim vota kështu. Kemi qenë parti e kauzave të mëdha. Do kemi rritje, do e shihni vetë PDIU-në”, shton Doda. (E.K/SHUPLAKA)