Liri Berisha, bashkëshortja e ish-kryeministrit Sali Berisha në këtë prag dhe atmosferë festash ka treguar për ‘Living’ sesi priten ato në familjen e tyre të madhe.
‘’Atmosfera është shumë e bukur sepse bëhemi shumë njerëz dhe mblidhen të gjithë bashkërisht për ndërrimin e viteve te unë, si motra e madhe. Shtëpia jonë bëhet mjaft e zhurmshme, televizori është gjithnjë i ndezur, por nuk dëgjohet nga hareja, gëzimi i fëmijëve por edhe nga këngët tona.’’-tregon Liria.
Ndër të tjera ajo tregon edhe se çfarë ushqimesh dominojnë në tryezën e darkës së vitit të ri, gjithashtu na zbulon edhe për pjatat e preferuara të Berishës.
Intervista e plotë:
Sot, kur ju jeni bërë gjyshër e keni plot 6 nipër e mbesa, e parafytyroj gëzimin dhe zhurmën e shtëpisë në ditë festash por të flasim pak për të shkuarën. Si ka qenë ndërrimi i viteve për ju kur krijuat shtëpinë tuaj, u martuat…
Dua ta nis më herët se kaq, që kur kam qenë unë në shtëpinë time, sepse ishte një festë aq e bukur për ne atëherë, sa s’mund të mos e lë pa përmendur. Të dy prindërit kujdeseshin aq shumë që të përcillnin atmosferë feste te ne atyre ditëve dhe ia arrinin. Dy javë përpara datës 31 dhjetor, babai na merrte të tre fëmijëve për të bërë pemën. Angazhohej ai për këtë gjë sepse mamaja përveç kujdesit të përditshëm për shtëpinë, ka patur prioritet gjithnjë kuzhinën. Kur u rritëm e u larguam nga shtëpia, babai i mori ato lodrat e pemës e na i ndau të treve. I kam ende sot dhe për çudi, sa herë që rregulloj pemën me fëmijët tani, janë pikërisht ato të preferuarat e tyre. Mbase edhe ngase unë u kam folur për të e u duken si të rralla.
Pas pemës, ç ’kujtime të tjera keni nga fëmijëria? Duhet të kujtojmë edhe që nuk se kanë qenë kohëra bollëku…
Qëndronte pikërisht këtu merita e prindërve tanë atëherë, edhe kur nuk kishin, përpiqeshin të sajonin diçka. Për Vit të Ri, mamaja donte që, patjetër, përveç gatimeve të tryezës që ne i prisnim, të na bënte diçka surprizë, edhe më vonë, kur u rritëm. Ne edhe kur u martuam vazhduam të mblidhemi te shtëpia e tyre për këtë festë, deri sa ata jetuan. E kujtoj një vit time më, duhet të ketë qenë ’74-ra, kur s’kishte pothuajse asgjë. E pyes dy ditë përpara se çfarë i nevojitej, çfarë mund t’i çoja sepse e shihja që jo mish që s’mund të gjente po as gjalpë apo gjëra më të thjeshta. Vetëm qep të thata në qese najloni kishte në pazar. “E di ai lart thonte, diçka do dali”. Ne kishim fatin atëherë që frutat e thata, arra, gështenja apo të tjera, na vinin nga Tropoja, gjëra që ia kisha çuar dhe ajo vërtet arriti të shtronte një tavolinë të pasur me gjithë varfërinë që ekzistonte. Pati gjetur një gjel të cilin e bëri të mbushur me fruta të thata, ishte hera e parë që e hanim të gatuar ashtu. Bëri, përveç tij edhe një karidhato, ëmbëlsirë për të cilën nevojiten gjithashtu arrat. Përveç këtyre kujdeseshin gjithnjë të na bënin dhurata, me aq mundësi sa kishin, e kanë bërë çdo vit. Unë kam qenë gjyshe vet kur vazhdoja të merrja ende dhurata nga prindërit e mi, por dhe ne fëmijët, bashke me nipat e mbesat, kujdeseshim t’i kënaqnim.
Di që edhe ju jeni mjaft e zonja në kuzhinë, po përveç gatimit të trashëguar, në kohë krizash ekonomike, a i keni menaxhuar gjërat po aq mirë sa ajo?
Vitet ’90, vite të trishta besoj për të gjithë, nuk dua as t’i kujtoj, pasi vraponim nga radha në radhë deri në orët e vona, të siguronim ndonjë frutë, apo deri tek vajguri e buka. Mund të them që e gjithë familja ishte e angazhuar për të ndihmuar ditën e festës. Për të bërë më të zbehta situatën kritike jashtë, të paktën brenda mureve të shtëpisë, gëzonim njëri-tjetrin.
Në këto kohë, edhe puna ime si mjeke pediatre ka patur vështirësitë e veta. Kam punuar në dy zona mjaft problematike të Tiranës, nga pikëpamja e varfërisë, si Bërraka dhe Bregu i lumit. Jetonim shume afër dhimbjes dhe duke qenë kaq pranë, të gjitha doktoreshat kontribuonim me aq sa mundeshim që të çonim sado pak gëzim në ato familje.
Meqenëse jemi në festë, ta lëmë të tillë këtë intervistë, festive, pa kujtimet të trishta. Cilat janë rritet e festës sot në shtëpinë tuaj?
Tani patjetër që e gjithë atmosfera është shumë e bukur sepse bëhemi shumë njerëz dhe mblidhen të gjithë bashkërisht për ndërrimin e viteve te unë, si motra e madhe. Pastaj parafytyroni 6 fëmijë apo më shumë me gjithë të tyret që vijnë vërdallë nëpër shtëpi, këndojnë, ndihmojnë në shtrimin e tryezës. Vazhdoj edhe unë në shtëpinë time, ta rregulloj pemën 2 javë përpara. Bashkë me fëmijët, të parën rregullojmë pemën e gjyshërve, pastaj ngjitemi te shtëpia e Argitës e pastaj te Shkëlzeni. Asnjëherë nuk më ka pëlqyer ta festoj Vitin e Ri jashtë shtëpisë dhe asnjëherë nuk e kam bërë, as jashtë Shqipërie e as nëpër restorante. Siç është një festë masive e të gjithëve, e vetmja e këtyre përmasave në Shqipëri, aq kërkon edhe privatësinë e saj, ngrohtësinë e shtëpisë. Shtëpia jonë bëhet mjaft e zhurmshme, televizori është gjithnjë i ndezur, por nuk dëgjohet nga hareja, gëzimi i fëmijëve por edhe nga këngët tona.
Në një shtëpi plot fëmijë, dhuratat janë praktikisht festa…
Gëzimi më i madh dhe puna më e mbarë është blerja e dhuratave te shumta. Ato janë sigurisht të ndara, të parët janë fëmijët. Dhuratat e tyre në të shumtën e rasteve i blejmë bashkë me Saliun, pasi ka shumë merak që ata të kënaqen, përveç se, ndihet edhe vetë mirë kur bën dhurata. Blerja e tyre është një angazhim më vete. Vërtet të jep sodisfaksion por do kohën dhe impenjimin e duhur. Te ne, kutitë e paketuara me vëmendje, hapen në datën 31 rreth orës 19.00, pra përpara shtrimit të darkës. Fëmijët, gjatë hapjes së tyre, i kanë më shumë sytë te dhurata e tjetrit se sa te e tyre. siç është e zakonshme me të gjithë fëmijët. Nuk duan as veshje e as libra sepse këto i konsiderojnë detyrim kështu që u marrë lodra që nëse nuk janë me bateri u duken krejt të padobishme. Me dhuratat e të rriturve është më e lehtë, sado që gjithsecili, qofshin shoqe a të afërm, kërkojnë përkujdesje për të shkaktuar emocione të bukura.
Po fëmijët, a ju kthejnë ata një pjesë të vëmendjes që ju i kushtoni duke ju bërë dhurata?
Po, gjithnjë na bëjnë dhe me thënë të drejtën kjo është kënaqësia më e madhe për të dy ne. Vitin që shkoi, të gjashtë, kishin mbledhur vetë guaska deti dhe kishin bërë me to një zemër për Saliun dhe brenda saj kishin formuar inicialet e emrave të tyre. Të njëjtën gjë edhe për mua. Një herë tjetër na kanë bërë kartolina me aplikacione të bëra nga vetë pikturat e tyre, të cilat i kam vendosur në kornizë.
Çfarë përmban tryeza juaj? Amvisat janë në kohë t’ju ‘kopjojnë’ diçka…
Së pari më vjen keq t’i zhgënjej duke thënë se unë nuk di të bëj bakllava, se kam bërë kurrë e nuk kam për ta bërë. Ajo është gjithnjë në shtëpi padyshim sepse ka gjithnjë një grua në fis që di ta bëj mirë por unë jo. Ajo që bëj, vazhdon të jetë tradita e sime mëje. Një tortë tipike që gatitet për vit dhe katër lloje ëmbëlsirash të vogla që shërbejnë edhe për ne edhe për miqtë që vijnë në shtëpi. Bëj gjithashtu një lloj ëmbëlsire të ngjashme me panetonen por jo krejt ashtu, dhe kjo është një traditë familjare që për ne simbolizon mbarësi, bereqet dhe bashkim. Gjithnjë i kam bërë vetë të gjitha e po të lë diçka, më duket sikur dalë nga tradita. Mishi është një pjatë që ka ardhur gjithnjë duke u përmirësuar. Nëse dikur konsumohej vetëm i pjekur, tani variantet janë të ndryshme. Megjithatë duhet të them që të gjitha gratë e pranishme në shtëpi për këtë ditë, japin ndihmën e tyre. Nuk mund t’i bëj një njeri i vetëm. Fëmijët gjatë kësaj kohe shtrojnë tryezën. Sara, që di të menaxhojë shumë mirë momentet festive, tregon më shumë kujdes në këtë pjesë dhe mund të them që e bën shumë bukur, nuk harron asnjë detaj festiv.
Po burrat, çfarë bëjnë burrat? Më duket se e lamë pak gjatë doktor Berishën, jashtë kësaj atmosfere. A ka ai ndonjë rol në gjithë këtë përkushtim tuajin për festë?
Shpesh, siç thashë, merr pjesë në blerjen e dhuratave të fëmijëve. Pjesa tjetër është kujdes dhe shqetësim i vazhdueshëm për të qenë çdo gjë gati dhe ashtu siç duhet.
Përpiqet të zgjedhë e të komentojë me mburrje pijet e darkës që padyshim janë më të përzgjedhurat si vera e vjetër, shampanja apo konjaku special, të cilët i pëlqen të na i shërbejë vetë duke i kombinuar me pjatat e duhura.
Çfarë i pëlqen? Cilat janë pjatat ‘e tij’ në tryezë?
Duke qenë mjek, Saliu ka qenë gjithnjë i kujdesshëm në ushqim, nuk e ka tepruar kurrë. Pëlqen gatimet tradicionale të shtëpisë, por mishi dhe produktet e detit që serviren janë më të preferuarat. Kryesojnë listën, karkalecat e gatuar në mënyra të ndryshme, të shuar me konjak, me salca apo të marinuar. Veçse, nuk i pëlqejnë surprizat. Tavolina i ka të gjitha gatimet tradicionale si byreku, mishi, sallatat dhe ëmbëlsirat. Sot, ushqimet tona janë gjithnjë e më të lehta, sado që, na u desh pak të mësoheshim me këtë gjë. Jo se has vështirësi në gatimin e zarzavateve, por duke qenë të dhënë pas brumërave e mishit, duhej pak për t’u mësuar me konsumimin e tyre.
Mbase jo shpesh por ndodh që, në këtë atmosferë gatimesh e festimesh, edhe burrat më indiferentë, të ngacmohen, qoftë edhe për shkak të nuhatjes, për të kaluar njëherë nga kuzhina të shohin ç ’ bëhet. Apo, me aq sa munden, të bëjnë edhe diçka vetë. A ndodh kjo edhe me Sali Berishën?
Kur ishim të rinj ndodhte. Gjithmonë ka dashur të kënaqte fëmijët. Mund të them se kur pica nuk njihej ende në Shqipëri, Saliu më ka sjellë për herë të parë recetën e saj dhe fëmijët e kanë pëlqyer shumë. Sot, më pyet shpesh si jemi me përgatitjet, kujdesu që fëmijët të kënaqen e të tjera si këto.
Nëse është kështu, mendoj që do t’i çudisnim të gjithë nëse u jepnim një recetë të tijën...
Jo, deri këtu nuk arrin. Mbase ngaqë unë kam qenë gjithnjë shumë e dhënë në këtë fushë dhe i kam bërë gjërat vetë.
Po vajza juaj, Argita, a ka marrë prej jush atë çka ju keni trashëguar nga mamaja juaj?
Sigurisht që ka marrë sepse ka parë dhe provuar gjatë gjithë jetës ato që unë kam bërë, por nuk është e dhënë shumë pas gatimit.
Ndër vite, a ka ndikuar statusi politik i bashkëshortit tuaj në përkushtimin e këtyre ditëve? Pra, angazhimet protokollare, a janë bërë pengesë që mos të jetë gjithçka siç do donit të ishte?
Statusi nuk më ka penguar të gatuaj rregullisht ato që duhen dhe ashtu si duhet. Këtë të fundit më duhet ta theksoj sepse tregojmë vëmendje ndaj malit të kalorive që mund të bëhet i rrezikshëm nëse teprohet. Për këtë, mbi kokë më ka qëndruar gjithmonë Saliu, i cili në këtë pikë sillet me autoritetin e një mjeku: të mos abuzohet me shëndetin! Merë atë që të duhet e në masën e duhur!
Kthehemi te tryeza, ç ’gatime të veçanta apo të reja për këtë vit, ka e juaja, përveç këtyre që na përmendët?
Ajo që është e re këtë vit është një krem qiqrash pak pikant me vaj susami. E kam servirur në një darkë tjetër dhe meqë është pëlqyer do ta bëj edhe këtë herë. Më pëlqen gjithashtu të bëj disa pjata sallatash me çikore, finok e të tjera.
Përsheshin do ta bëni?
Po, patjetër, e bëj edhe përsheshin sado që jo gjithmonë e hanë, preferojnë më tepër patatet ose couscous-in.
Ai gjeli i mbushur që dikur mamaja juaj e bëri me fruta të thata për shkak të varfërisë, sot, bëhet për zgjedhje. I jeni rikthyer asaj recete?
Jo, nuk kam eksperimentuar me të. Gjelin e bëj thjesht, e lë për një natë të marinohet në kripë dhe uthull dhe dy orë përpara darkës e vë të piqet. Qëndron mjaft i butë mishi kështu. Tani ka gjithfarë mënyrash për t’i servirur pjatat. (M.D/SHUPLAKA)