Fax News sjell një rast flagrant të abuzimit me shitjen e produkteve të skaduara dhe që ruhen në kushte skandaloze. Rrjeti i marketeve Diambo, shet produkte disa prej të cilave kanë edhe rreth 2 vite që kanë skaduar, ndërsa ruhen në frigorifere të përbashkëta pa asnjë kriter. AKU është në dijeni të rastit, por ka mbyllur sytë.
Shpesh herë në Shqipëri është bërë problem se çfarë ne konsumojmë. Nuk është e vetmja zgjidhje por është ndër më kryesoret, vendi ku produktet ruhen dhe datat e përcaktuara të përdoren. Fax News ka arritur të depërtojë brenda një supermarketi në Tiranë. Për një kohë afatgjatë ka arritur të investigojë se si aty manipulohen dhe shiten produkte të skaduara tek konsumatori dhe se në çfarë ambjentesh jashtë çdo standarti mbahen mallrat.
Gazetari Gjergj Prenga ka bërë një punë investigative në Diambo Market. Ai është paraqitur si dikush që kërkon punë, dhe për disa ditë me radhë ka vëzhguar produket ushqimore që shiten në këtë market, datat e prodhimit dhe të skadencës dhe ambientet ku ato mbahen.
Pamjet që shikoni, janë ambientet ku mbahen produktet ushqimore dhe të konsumit, jashtë çdo standarti dhe kriteri, përfshirë pastërtinë, temperaturat etj.
Kjo mëlçi pule duhej të kishte dalë nga tregu, por pavarësisht se kanë kaluar muaj nga data e skadimit, ai shitet në Diambo Market.
E njëjta gjë ndodh edhe me mishin e grirë të markës Kazazi.
Ky produkt i mishit prodhuar nga Koral ka skaduar që në dhjetor të 2019, por nëse shkoni sot tek Diambo, shanset janë që ta gjeni ende në frigoriferet e tyre.
E njëjta gjë ndodh edhe me bulmetrat, pa llogaritur kushtet skandaloze të magazinimit apo të ftohjes.
Në dijeni të këtij rasti është edhe Autoriteti Kombëtar Ushqimor i cili fillimisht e ka gjobitur biznesin me rreth 1 milion lekë të reja, por ky fakt akoma është ende i pavërtetuar në rrugë zyrtare. Gazetari Prenga me investigimin e tij pretendon se gjendja vazhdon akoma të manipulohet në atë market dhe konsumatorët vazhdojnë të blejnë këto produkte të skaduara prej kohësh, që ruhen në ambjente frigoriferike së bashku me produktet tjera, duke vënë në rrezik serioz jetën e qytetarëve