Të paktën tre koncesione janë vënë për përpunimin e mbetjeve, në Elbasan Fier dhe Tiranë, por përpunimi i mbetjeve nga këto impiante ka shënuar rënie gjatë vitit 2019.
Sipas të dhënave të INSTAT në vitin 2019 u ricikluan 18,7 % e sasisë gjithsej të mbetjeve, ndërkohë që në vitin e kaluar ky tregues ishte 18,5 %. Në vitin 2019 janë trajtuar me djegie në incenerator për eliminim dhe qëllime energjetike rreth 0,9% e sasisë totale të mbetjeve, duke shënuar kështu rënie të këtij treguesi me 1,9 %, krahasuar me të njëjtin tregues në vitin 2018, raportoi INSTAT
Si rrjedhojë 78 % e sasisë totale të mbetjeve u depozituan në landfille dhe fusha mbetjesh, ndërkohë që në vitin 2018 u depozituan 76,4%, duke shënuar një rritje rreth 1,6% të sasisë gjithsej të depozitimeve në landfille dhe fusha mbetjesh të miratuara si depozita të përkohshme nga bashkitë përkatëse.
Në vitin 2019, janë gjeneruar gjithsej rreth 1.2 milionë tonë mbetje urbane, ndërkohë në vitin 2018 kjo shifër ishte rreth 1.5 milionë tonë. Mbetjet të pa menaxhuara në raport me sasinë totale të mbetjeve të gjeneruara në vitin 2019 janë 13,4% më pak se në vitin 2018.
Në vitin 2019 rezulton të jenë menaxhuar rreth 1,08 milionë tonë mbetje urbane duke shënuar një rënie me rreth 18 %, krahasuar me vitin 2018. Sasia vjetore e mbetjeve urbane të menaxhuara për banorë, në shkallë vendi, në vitin 2019 është 381 kg/banor, nga 462 kg/banor që ishte në vitin paraardhës.
Në vitin 2019 sasia e mbetjeve jo urbane të menaxhuara bashkë me ato urbane është 13,0% ndaj sasisë gjithsej, nga 17,2 % që ka qenë në 2018, duke shënuar një ulje me 4,2 %.
Sipas INSTAT niveli i mbulimit të popullatës me shërbime komunitare për menaxhimin e mbetjeve urbane në vitin 2019 është 87,9 %, duke shënuar rritje me 22,2 %, krahasuar me vitin paraardhës.
Në përbërjen e mbetjeve urbane komponent kryesor janë mbetjet organike. Në vitin 2019 mbetjet organike përbëjnë rreth 58,4 % të sasisë gjithsej të mbetjeve, kundrejt 61,2 % që ky tregues ishte në vitin 2018.
Deri në vitin 2018 statistikat mbi “Mbetjet e Ngurta Urbane në Shqipëri” mbështeteshin në të dhëna të mbledhura në terren nëpërmjet anketës vjetore mbi mbetjet urbane pranë subjekteve që ushtronin veprimtarinë e mbledhjes dhe menaxhimit të tyre.
Në vitin 2020, iNSTAT për mbledhjen e të dhënave mbi mbetjet e ngurta urbane referuar vitit 2019, ka aplikuar për herë të parë metodën inovative nëpërmjet pyetësorëve elektronikë “online” pranë gjithë bashkive të vendit. Mbetjet e ngurta urbane depozitohen në kazanët e grumbullimit të mbetjeve dhe në vendin tonë, ato mblidhen përgjithësisht të pandara sipas llojit dhe në shumë raste në po të njejtin vend hidhen edhe mbetje industriale qe rezultojne nga prodhime dhe shërbime të subjekteve të vogla biznesi në territorin urban./Monitor