Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, investitorët jorezidentë e shtuan portofolin e titujve qeveritarë, me rreth 5.3 miliardë lekë në tremujorin e parë 2025.
Investitorët nga jashtë po fitojnë gjithnjë e më shumë peshë në kërkesën për instrumentet e borxhit të qeverisë. Vitin e kaluar, ata hynë për herë të parë në tregun e titujve qeveritarë në Lekë të qeverisë shqiptare, duke investuar në total 14.4 miliardë lekë.
Përmirësimi i parametrave makroekonomikë dhe në veçanti ulja e borxhit publik ka përmirësuar vlerësimin e kreditit sovran të qeverisë shqiptare në dy vitet e fundit.
Në muajin mars, agjencia e vlerësimit “S&P Global Ratings” përmirësoi për të dytin vit radhazi vlerësimin afatgjatë të borxhit sovran, nga “BB-” në “BB”, me perspektivë të qëndrueshme.
Kërkesa në rritje prej investitorëve jorezidentë është një nga faktorët që ka sjellë uljen e vazhdueshme të yield-eve të bonove dhe obligacioneve që prej vitit të kaluar.
Efekti i pranisë së investitorëve të huaj është bërë edhe më i rëndësishëm për shkak të uljes paraleletë ofertës së këtyre instrumenteve në tregun e brendshëm financiar.
Sipas Bankës së Shqipërisë, huamarrja e re neto e qeverisë në tregun e brendshëm ra me 6.5 miliardë lekë në tre muajt e parë të vitit, në reflektim të strukturës së maturitetit që kishte portofoli i titujve dhe të strategjisë së huamarrjes së qeverisë përgjatë kësaj periudhe.
Kështu, huamarrja në obligacione u pakësua me 4.3 miliardë lekë, si pasojë e maturimeve të larta të titujve referencë 3- dhe 5-vjeçare.
Huamarrja në bono thesari u pakësua me 2.2 miliardë lekë, në reflektim të Strategjisë së Menaxhimit të Borxhit Publik, e cila synon zgjatjen e maturitetit të borxhit të brendshëm.
Struktura e huamarrjes në tremujorin e parë diktoi një ekspozim më të ulët të bankave në financimin e borxhit të qeverisë, si pasojë e sasisë së lartë të maturuar gjatë kësaj periudhe të obligacioneve referencë 3- dhe 5-vjeçare, ku bankat zotërojnë pjesën më të madhe të tyre (mbi 90%).
Huamarrja neto në tregun e huaj për tre muajt e parë të vitit rezultoi rreth 58.7 miliardë lekë. Në muajin shkurt u emetua Eurobondi i shtatë në tregjet ndërkombëtare, në vlerën e 650 milionë eurove.
Zhvillimet në huamarrjen e brendshme e të huaj të qeverisë, së bashku me vlerat e suficitit fiskal të kësaj periudhe, u faktorizuan në teprica të larta likuiditeti, të cilat do të përdoren në vijimësi për shërbimin e borxhit të huaj dhe kryerjen e shpenzimeve të tjera të qeverisë.