Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, ka dënuar ashpër sulmet ajrore të Shteteve të Bashkuara ndaj objekteve bërthamore iraniane, duke i cilësuar si një “shkelje e rëndë” e Kartës së Kombeve të Bashkuara, së drejtës ndërkombëtare dhe Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT).
Duke i cilësuar zhvillimet e mëngjesit si “tronditëse”, ai paralajmëroi se ato do të kenë “pasoja të përhershme”.
“Në përputhje me Kartën e OKB-së dhe dispozitat e saj që lejojnë reagim të ligjshëm në vetëmbrojtje, Irani rezervon të gjitha opsionet për të mbrojtur sovranitetin, interesat dhe popullin e vet”, shkroi ai.
Presidenti Donald Trump tha se ushtria amerikane goditi tre objekte bërthamore iraniane, Fordo, Natanz dhe Esfahan, gjatë një përpjekjeje të përbashkët me Izraelin për të shkatërruar programin bërthamor të Iranit, pasi diplomacia dështoi ta kthente Teheranin në tavolinën e negociatave.
“Qëllimi ynë ishte shkatërrimi i kapacitetit të Iranit për pasurim të uraniumit dhe ndalimi i kërcënimit bërthamor që paraqet sponsori numër një shtetëror i terrorizmit në botë”, tha Trump.
Trump, i cili vetëm dy ditë më parë tha se do të vendoste “brenda dy javësh” nëse do t’i bashkohej Izraelit në përpjekjet e tij për të shkatërruar objektet bërthamore iraniane, pretendoi se sulmet “shkatërruan plotësisht” objektet kyç të Iranit për pasurim të uraniumit.
Një zëdhënës i provincës Qom konfirmoi se një pjesë e objektit bërthamor në Fordo ishte goditur nga “sulme ajrore të armikut”.
Duke minimizuar sulmet, televizioni shtetëror iranian raportoi se materialet bërthamore ishin larguar nga të tre objektet përpara se të goditeshin.
Mehdi Mohammadi, këshilltar i lartë i kryetarit të parlamentit iranian, tha se Irani kishte pritur prej disa netësh që Fordo të sulmohej.
“Objekti është evakuuar prej kohësh dhe nuk ka pësuar dëme të parikuperueshme nga sulmi. Dy gjëra janë të sigurta: e para, dija nuk bombardohet, dhe e dyta, aventurieri do të humbasë këtë herë”, shkroi Mohammadi në X.
Organizata iraniane për energjinë atomike konfirmoi se objektet bërthamore në Fordo, Natanz dhe Isfahan ishin sulmuar nga “armiqtë”.
Ajo i quajti sulmet “barbare” dhe shkelje të ligjit ndërkombëtar, duke shtuar se nuk do të lejojë që “industria kombëtare” të ndalet.