Në Iran raportohen edhe dy viktima të tjera të rangut të lartë ushtarak si pasojë e sulmeve izraelite. Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës Islamike të Iranit ka njoftuar se dy nga zëvendëskomandantët e tij janë vrarë gjatë bombardimeve të kryera nga Izraeli.
Qendra e Komunikimit dhe Informacionit e Shtabit të Përgjithshëm, e cituar nga mediat zyrtare, bëri të ditur se Gholamreza Mehrabi, zëvendës i sektorit të inteligjencës, dhe Mehdi Rabbani, zëvendës përgjegjës për operacionet në selinë qendrore, humbën jetën në valën e fundit të sulmeve.