Irani ka liruar përkohësisht rreth 85 mijë të burgosur, përfshirë të burgosurit politikë, si masë për ta parandaluar përhapjen më të madhe të koronavirusit.
Zëdhënësi i departamentit të drejtësisë, Gholamhossein Esmaili, tha se gjysma e personave të liruar kanë qenë duke qëndruar në burg në lidhje me shkeljet në sektorin e sigurisë, shkruan “Daily Mail”.
Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se të burgosurit iranianë tashmë janë infektuar me koronavirus në burgjet e mbingarkuara të këtij shteti dhe kanë bërë thirrje për lirimin e të gjithë të burgosurve politikë.
Numri i viktimave të koronavirusit në Iran ka shkuar në 853, ndërsa gati 15 mijë janë infektuar. Irani është një ndër shtetet më të prekura në botë pas Kinës dhe vendi më i prekur nga virusi i ri në Lindjen e Mesme.
Shumë raste të konfirmuara në vendet e këtij rajoni kanë qenë të lidhura pikërisht me republikën islamike, prandaj disa shtete i kanë ndërprerë fluturimet me Iranin dhe e kanë mbyllur kufirin me të.