Irani nuk do të marrë pjesë në negociata për programin e tij bërthamor nëse Shtetet e Bashkuara këmbëngulin në ndërprerjen e pasurimit të uraniumit. Këtë qëndrim e bëri të qartë këshilltari i liderit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, Ali Akbar Velayati.
“Nëse ndërprerja e pasurimit të uraniumit vendoset si kusht për negociatat, atëherë është e sigurt që ato nuk do të zhvillohen,” deklaroi ai gjatë një takimi me ministrin e Brendshëm të Pakistanit, Mohsin Naqvi, sipas agjencisë shtetërore iraniane IRNA.
Prej muajit prill, Irani dhe SHBA kanë zhvilluar pesë raunde bisedimesh, me ndërmjetësimin e Omanit. Por dialogu u ndërpre pas sulmit të Izraelit ndaj Iranit më 13 qershor, që çoi në një përshkallëzim 12-ditor të dhunës, i njohur tashmë si “lufta 12-ditore”.
Një takim i planifikuar mes delegacioneve të Iranit dhe SHBA për më 15 qershor u anulua për shkak të konfliktit.
Pavarësisht tensioneve, presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka riafirmuar angazhimin e vendit ndaj rrugës diplomatike. Në një deklaratë zyrtare të publikuar në faqen e presidencës, ai theksoi: “Vazhdojmë të besojmë se dritarja e diplomacisë mbetet e hapur dhe do ta ndjekim këtë rrugë paqësore me seriozitet.”
Irani nuk e ka përjashtuar mundësinë e rikthimit në tryezën e bisedimeve me SHBA-në. Megjithatë, sipas zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, aktualisht nuk është rënë dakord për asnjë datë apo vend për një takim të mundshëm mes ministrit të Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, dhe të dërguarit të posaçëm amerikan, Steve Witkoff.