Irlanda duhet të jetë më e përgatitur ndaj stuhive, pasi ato po bëhen më të shpeshta, deklaroi kryeministri irlandez, Micheal Martin, pasi rreth 74 000 klientë mbeten pa energji elektrike dhe rreth 1 000 pa ujë, një javë pasi stuhia ”Eowyn” përfshiu Irlandën.
Shumica e ndërprerjeve të mbetura të energjisë janë në veriperëndim, në perëndim të Galway, Leitrim, Cavan dhe Mayo.
Bordi i Furnizimit me Energji Elektrike (ESB) tha se mund të jetë deri të enjten e ardhshme përpara se çdo konsumator të rilidhet me energji elektrike, pasi faza tjetër e riparimeve është më komplekse se sa javën e kaluar.
Rreth 3 000 teknikë rrjeti janë vendosur në terren, me më shumë se 400 të ardhur nga jashtë për të ndihmuar, duke përfshirë teknikë nga MB, Finlanda, Austria, Gjermania dhe Franca.
Gjeneratorët nga Rumania mbërritën këtë javë dhe priten edhe disa nga Danimarka.
Duke folur në Cork, kryeministri tha se u mbajt një takim për të vlerësuar ndikimin e stuhisë dhe për të adresuar çështjet në të ardhmen.
“Do të ketë nevojë për investime vërtet të konsiderueshme në rrjetin tonë të energjisë elektrike në të ardhmen, sepse nëse shikoni tabelën gjatë 10 viteve të fundit, numri dhe ashpërsia e stuhive të këtij lloji po rritet”, tha Martin.
”Ndryshimet klimatike tani po ndikojnë në një shkallë të konsiderueshme në vendin tonë dhe ne duhet të ndryshojmë hap pas hapi qëndrueshmërinë tonë në lidhje me këtë, me fjalë të tjera, do të kemi stuhi të ngjashme me këtë në vitet në vijim”, theksoi ai.
Në lidhje me impiantet e trajtimit të ujërave që kërkojnë gjeneratorë, kompania e shërbimeve ”Uisce Eireann” ka rreth 700 impiante trajtimi dhe rreth 8 000 asete që kanë nevojë për energji elektrike për të punuar.