Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë dhe Maqedoni Arben Çeku në një intervistë në ‘Fax News’ ka folur rreth debatit të fundit në lidhje me deklaratat e presidentit te Kosovës Hashim Thaçi për ‘korrigjim kufijsh’ dhe mbi atë se çfarë e pret Kosovën nëse jetësohet kjo tezë.
Çeku ka thënë kjo është një tezë e rrezikshme, ndërsa shtoi se nuk është e re pasi nga diplomatë ndërkombëtarë kanë qarkullur dhe harta madje për atë se si mund të shkëmbehen territoret. Por ai kujtoi se në të gjitha këto harta, Kosovës nuk i jepej e gjithë Presheva, pasi hekurudhën e mbante Serbia.
Çeku tha se pas lënies në një farë mënyre menjëanë të Kosovës nga administrate Obama, Bashkimi Europian me burokracitë e tij e futi në një qorrsokak me bisedime të pafundme dhe pa rezultat dhe humbja e kohës sipas tij për një marrëveshje mes dy vendeve ka qenë në dëm të Kosovës.
I pyetur nëse deklarata e Thaçit është një tezë për për të testuar opinionin publik, Çeku deklaroi se kjo i kujton deklaratat për bashkim kombëtar të Ramës dhe Thaçit, për të cilat më pas ua lanë fajin gazetarëve se i kishin keqinterpretuar. Por ai theksoi se në rastin konkret çështja është shumë serioze.
“Kjo më kujton një deklaratë të Ramës dhe Thaçit në Ulqin para disa vitesh ku shprehën vullnetin e tyre për bashkim kombëtar, dhe më pas pas reagimeve ua lanë fajin gazetarëve. Por në rastin konkret kjo nuk është një tullumbace e kësaj natyre, është më konkrete, lidhet me axhëndën e negociatave. Kërkon dialog të gjerë politik”, tha ai.
Çeku deklaroi se Serbia e ka marrë përgjigjen për pavarësinë e Kosovës dhe hapja e çështjes së shkëmbimit të kufijve është një gjë e rrezikshme pasi kjo do të thotë se hapet pakoja e Ahtisarit. Thaçi sipas tij duhet të konsultohet së pari me institucionet e Kosovës, por edhe me shqiptarët kudo që janë pasi Kosova është kryefjala e çështjes shqiptare. Një zgjidhje që nuk garanton stabilitet do të ishte një humbje e madhe për Kosovën.
“Një zgjidhje e papjekur që nuk siguron stabilitet do të ishte një humbje shumë e madhe. Kosova me këtë deklaratë të Thaçit është vendosur në qendrën e opinionit ndërkombëtar”, tha Çeku ndër të tjera.
Sot kemi një qëndrim të qartë se Britania e Madhe mbështet pavarësinë e Kosovës. Britania e madhe thotë që ky është një shtet i pavaruar dhe thotë nuk ka nevojë të diskutojmë mbi rezolutën 1244. Rusia në vazhdimësinë e saj ka qenë për një ndarje. Ideja e saj ka qenë që nëse pranohet Krimeja atëherë ajo pranon Kosovën. Futja e Kosovës në këtë treg politik, na vendos ne para nevojës për një qartësim të deklaratave të Thaçit.
Tirana zyrtare dhe përfaqësuesit në Maqedoni, Luginë të Preshevës duhet të konsultohen. Nuk besoj se ka shqiptar që nuk e do Luginën por nëse vendoset Kosova në tavolinë për ti marrë një pjesë është shumë e rrezikshme. Ka pasur dhe më herët ide për shkëmbim territoresh. Në tryezat e diplomatëve kanë qarkullur harta ku Lugina është e ndarë, hekurudha i ngelet Serbisë”, tha Çeku.
Sipas tij rikthimi i çështjes së Kosovës nuk është një gjë e mirë, por Serbisë për shqiptarët e Luginës së Preshevës i duhej vënë kushti nga Kosova që të trajtoheshin me të njëjtin status siç trajtohen serbët në Kosovë.
“Kushti që mund ti vendoste Kosova ishte që me të njëjtin status si serbët në Kosovë të trajtohen shqiptarët e Luginës së Preshevës. Nëse vihet në tryezë Kosova atëherë duhen pyetur gjithë shqiptarët se Kosova është kryefjala e çështjes shqiptare.
Jam skeptik që Serbia mendon ndonjëherë mirë për shqiptarët, por po përpiqet që të marrë maksimalisht nga Kosova.
Hapja e dialogut për shkëmbim territori, ose ta quaj akomodim hap disa çështje. Cfarë do të bëjnë shqiptarët e Maqedonisë, serbët e Bosnjës me Dodik, kroatët? Krijimi i precedentit do të ishte shumë i rrezikshëm. Rusia po kërkon që të krijojë këto lloj precedentësh për interesa të veta për të shuar disa konflikte të ngrira”, deklaroi ai.
Duke iu rikthyer deklaratës së Thaçit, ai u shpreh se nuk i di arsyet se përse presidenti i Kosovës po nxiton.
Por sipas tij në sytë e ndërkombëtarëve ai e ka bërë Kosovën të duket si një vend me pikëpyetje sa i takon stabilitetit dhe perspektivës së saj.
“Nuk i di arsyet që e kanë shtyrë të nxitojë. ka vënë Kosovën në qendër të vëmendjes si një vend që ka pikëpytje rreth stabilitetit dhe perspektivës së saj.
Mbështetje ndërkombëtare mund të gjesh për cfarëdo lloj teze që mund të hedhësh, në BE ka shtete që nuk e duan Kosovën dhe duan ta fusin në këtë lloj qorrsokaku. Tani po futet Kosova si çështje, deri tani është folur për normalizim të marrëdhënieve, tani po kërkohet rikthim si një çështje. Nuk besoj të kemi një fitore më të madhe se kjo që kemi tani. Hapja e kutisë së pandorës për korrigjim është shumë e rrezikshme. Edhe përfaqësues serbë të Kosovës janë shumë të tronditur. Ata që janë në pjesën jugore kanë frikë se do duhet të zhvendosen, edhe dhunshëm”, theksoi Çeku.
Ish-ambasadori është pyetur edhe për heshtjen e Tiranës zyrtare në lidhje me deklaratat e Thaçit. Ai tha se duhet të ketë reagim për këtë çështje pasi ndërkombëtarët janë të interesuar të dinë qëndrimin e Shqipërisë.
Sipas tij heshtja e Tiranës tregon se Rama ka dorë në marrëveshjen Thaçi-Vuçiç.
“Heshtja më bën të mendoj se ka një dorë, por i takon Tiranës të reagojë. Ne duhet të jemi të sinqertë edhe nëse nuk u pëlqen partnerëve tanë. Mund ta mbaështesë ose mund të mos e mbështesë idenë e Thaçit por duhet të ketë një reagim nga Tirana”, u shpreh Arben Çeku.
Intervista e plotë:
(B.H/Faxweb)