Ish-deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka gjatë një takimi me qytetarët e Shkodrës ku i ftoi që të bashkohen në protestën e 16 marsit para Kryeministrisë për të rrëzuar Edi Ramën, komentoi edhe vendimin e Rudina Hajdarit e cila vendosi të mos e dorëzojë mandatin e saj.
Sipas Flamur Nokës, deputetja Hajdari ka marrë një vendim të gabuar duke u rreshtuar në krahë të Edi Ramës. Më tëj Noka ka shtuar se në rast se do ishte gjallë Azem Hajdari, nuk do të rreshtohej kurrë në krah të kryeministrit Rama.
“Zonja Hajdari ka folur vetë për veten e vet, si çdokush tjetër. Sot çdokush flet me gjeste dhe me veprime. Të rreshtohesh në krah të Edi Ramës do të thotë se je në anën e gabuar të historisë. Po të ishte Azem Hajdari vetë, të jeni të sigurt se nuk do të rreshtohej kurrë në krahun e tyre”- u shpreh Noka.
Më tej Noka ka komentuar edhe për opozitën e re siç e quan edhe vetë kryeministri Rama. Ish-deputeti u shpreh se:
“Opozita janë institucionet e opozitës. Opozita është bërë njësh me qytetarët. Edi Rama ka blerë votat dhe siç po blen votat, po blen edhe deputetë. Ata janë numra, sepse votën e qytetarëve e përfaqëson opozita, e cila është me qytetarët dhe ka braktisur atë institucion i cili për fatin e keq nuk është një institucion i cili përfaqëson qytetarinë shqiptare, por është një institucion i cili përfaqëson bandat dhe krimin e organizuar. Kjo ka qenë një nga arsyet kryesore pse ne nuk mund të pranojmë të rrimë aty, me përfaqësuesit e bandave, me përfaqësuesit e korrupsionit, me përfaqësuesit e krimit. Ne si opozitë jemi përfaqësues të qytetarëve, jemi përfaqësues të vullnetit të tyre. Dhe këto dy vullnete nuk mund të rrinë bashkë. Kjo është arsyeja pse ne jemi sot këtu, kjo është arsyeja pse ne sot i bëjmë thirrje shqiptarëe të përmbysin këtë regjim, i cili po mundohet të blejë gjithçka. Dhe këto blerje të numrave, se ata nuk quhen deputetë, janë blerje me para droge, krimi”- theksoi Noka.
(B.K/ FAXWEB.AL)