Ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani do marrë 56 paga dëmshpërblim nga vendi ku ka punuar më parë.
Gjykata Administrative e shkallës së Dytë ka marrë këtë vendim pas kërkesës që ish-guvernatori kishte bërë për shkarkim të paligjshëm nga posti që mbante prej vitesh.
“Gjykata ndërkohë, ka rrëzuar më parë kërkesën për rikthim në detyrën që kishte në BSH”, shkruan Shekulli.
KËRKESAT
Gjykata administrative ka dëmshpërblyer fillimisht me 12 paga mujore ish-guvernatorin, por ai e apeloi këtë vendim. Në shkallën e parë, ai kërkoi të dëmshpërblehet për pagat e mohuara, si dhe dëmshpërblim moral. Përfaqësuesit ligjorë të Bankës së Shqipërisë i kërkuan Gjykatës të mos e pranojë padinë e ish-Guvernatorit, që fitoi pafajësi në lidhje me skandalin e vjedhjes së 713 milionëve në thesarin e BSH. Sipas juristit të BSH, padia në Administrative nga Fullani është depozituar tej afateve ligjore të parashikuara në ligj. “Kanë kaluar gati 120 ditë që nga koha kur paditësi ka mësuar për vendimin e Këshillit Mbikëqyrës për shkarkimin nga detyra e deri në momentin që i është drejtuar Gjykatës. Të mos pranohet padia për shkak të mospërmbushjes së kushteve formale të saj”, tha juristi i BSH.
Në lidhje me kërkesën e paditësit Fullani për dëm moral, juristi i BSH pretendoi se ish-Guvernatori është shkarkuar konform procedurave, për shkak të shkeljeve ligjore gjatë ushtrimit të detyrës dhe jo për shkak të dyshimeve për përfshirje në skandalin e vjedhjes në Bankën e Shqipërisë. Pretendimet e tyre u kundërshtuan nga avokatët e Fullanit, Maks Haxhia dhe Erinda Ballanca.
“Në kërkojmë pavlefshmëri absolute të aktit administrativ të Këshillit Mbikëqyrës dhe kjo nuk ka afat. Në lidhje me dënim jopasuror të pretenduar prej nesh, shkarkimi nga detyra i ish-Guvernatorit është bërë për shkak të masës së sigurisë ‘arrest në burg’ të caktuar ndaj tij. Nëse nuk do të ishte caktuar kjo masë, ai nuk do të ishte shkarkuar dhe do të vijonte edhe sot të ishte Guvernator i Bankës së Shqipërisë”, thanë mbrojtësit. (J.V/Shuplaka)