Një ditë më parë, ish-komandanti i UÇK-së i zonës së Drenicës, Sami Lushtaku është liruar nga të gjitha akuzat për krime lufte. Kujtojmë se Lushtaku ishte dënuar me 12 vite burgim nga Gjykata Themelore në Veri të Mitrovicës.
E hëna, ka qenë një ditë mjaft me emocione për të, por pavarësisht kësaj Lushtaku nuk i harron bashkëvuajtësit e tij.
Gjatë një interviste për Telegrafin, ish-komandanti i UÇK-së ka thënë se pas lirimit të tij nga burgu, emocionet vazhdon t’i ketë të përziera pasi që siç shprehet ai “një pjesë e bashkëluftëtarëve të mi kanë mbetur prapa grilave”.
“Është mirë me ardh në shtëpi nga gjithë kjo padrejtësi që ka ndodhë. Nuk është e lehtë për mu që unë sot jam këtu ku jam, ndërkaq bashkëluftëtarët e mi janë nëpër burgje të Kosovës”, tha Lushtaku.
Pavarësisht të gjithave, Lushtaku ka sqaruar ndër të tjera se nuk ka ndërmend t’i largohet politikës, por që do të vazhdojë po me qa pasion dhe përgjegjësi.
“Nuk do të iki nga politika, por nuk do të jem as afër as larg, aty diku. Rreth rikandidimit tim për kryetar komune nuk besoj se do të ndodhë një gjë e tillë”, ka thënë Lushtaku.
Ish-komandanti i UÇK-së, komentoi edhe zgjedhjen e të birit Mërgim Lushtaku, deputet, duke thënë se tashmë ka ardhur koha e gjeneratave të reja, dhe se do t’i mbështesin.
Pavarësisht kritikave të vogla që ka ndaj PDK-së, Sami Lushtaku theksoi se ka raporte të shkëlqyera me kryetarin e partisë, Kadri Veselin.
Duke komentuar rezultatin e zgjedhjeve ku PDK së bashku në koalicion me AAK-në dhe Nismën arriti të sigurojë numrin e deputetëve gati po aq sa në legjislaturën e kaluar, Lushtaku theksoi se “PDK ka humbur kontaktin me bazën”.
(D.D/Shuplaka)