Një 67-vjeçar nga Elbasani është i detyruar ta kalojë këtë dimër të acartë në një karabinë pa mure, kjo sepse shtëpia e tij ku ka jetuar për dekada me radhë është prishur nga amortizimi.
Kjo ka ndodhur që para tre vitesh, por Maksim Beqiraj me familjen akoma jetojnë në qiell të hapur sepse nuk kanë arritur të sigurojnë lejen e ndërtimit.
Beqiraj i cili dikur ka punuar si minator, tregon se pavarësisht se pak kohë më parë hodhi themelet për rindërtimin e banesës në lagjen “Sul Papri”, ai nuk u lejua nga INUK-u pasi nuk zotëronte një leje për ta bërë këtë.
“Kam tre vjet që mu shemb shtëpia dhe kam kërkuar në të gjitha organet kompetente të Bashkisë, por nuk më kanë dhënë asnjë rrugëzgjidhje. Tani me këto temperatura -10 gradë po jetoj këtu. Mbrëmë nuk po duroja dot, mora policinë në telefon, erdhën më morën dhe më çuan në spital. E kalova natën aty, se nuk mund të duroja dot. Gruaja ka shkuar te njerëzit e vet. Ku të flerë këtu. Kjo është situata”, tregon Beqiraj.
Ish-minatori rrëfen se përveçse është vetë i sëmurë, vitin e kaluar i ftohti i rrëmbeu edhe të birin 29-vjeçar.
“Kam kaluar dy herë, parainfarkt, dhe nuk mundem ta përballoj. 85 mijë lekë të vjtra marr pension. Më datën 16 tetor, flija me djalin këtu, nga një plevitë e rëndë që mori, ujë në mushkëri, vdiq. Nuk kërkoj asgjë tjetër, se shtëpinë që kam patur është këtu prapa, është shembur. Kërkoj vetëm 4 kolona dhe një soletë të më bëjnë. Asgjë tjetër nuk kërkoj”, tregon Beqiraj.