Në Gjykatën e Krimeve të Rënda vijon gjyqi ndaj Emiljano Shullazit dhe bandës së tij. Në seancën e djeshme, u thirr për të dëshmuar edhe ish-tuproja i biznesmenit Ylvi Beqja, Romeo Tarja.
Në seancën që u zhvillua pa praninë e Shullazit, i cili nuk kishte dashur të merrte pjesë, Tarja tha se Beznesmeni Beqja nuk ishte ndjerë asnjëherë i kërcënuar nga Shullazi apo Gilmando Dani.
PJESË NGA DËSHMIA
Prokurorja: Keni njohje me Ylvi Beqajn dhe si jeni njohur me të?
Romeo Tarja: E njoh që prej vitit 1999. Por tani nuk kemi më komunikim. Në fillim kam qenë truproja e tij. Më pas kam menaxhuar shoqërinë e tij të ruajtjes fizike. Me kalimin e viteve, u bëmë miq të mirë dhe bashkëpunëtorë. Kam punuar me të deri para një viti.
Prokurorja: Keni dëgjuar ndonjëherë për Emiljano Shullazin dhe Ylvi Beqajn?
Romeo Tarja: Shullazin nuk e njoh dhe as ai nuk më njeh. Edhe sikur ta kem përballë Emiljano Shullazin, nuk e njoh. Ndërsa për Gilmando Danin, mund të them se e njoh nga Ylvi Beqja. Deri para vitit 2015, pinin kafe së bashku. Ata takoheshin miqësisht edhe gjatë vitit 2016. E njoh vetëm nga Ylvi.
Prokurorja: Duke qenë se keni qenë i afërt me Ylvi Beqajn, a ju ka thënë ndonjëherë ai se ndihej i kërcënuar?
Romeo Tarja: Nuk ka patur asnjë konflikt. Madje, ai tregohej shumë entuziast kur takohej me Gilmando Danin. Nuk më ka shprehur kurrë asnjë ndjesi negative. Prokurorja: Keni patur dijeni për rastin e ish-hotelit “Vollga”?
Romeo Tarja: Po, kam dëgjuar se ai kishte shumë probleme me “Vollgën” për
ta regjistruar nëpër gjykata. Madje, u ndje keq kur nuk e bënte dot regjistrimin pas vendimit të Gjykatës.
Prokurorja: Po për takimet me Shullazin dhe Danin, ju ka thënë gjë?
Romeo Tarja: Ai ndjehej mirë kur takohej me Emiljanon dhe Gilandon. Më thoshte mua se këta janë njerëzit që do të na rrinë në krah. “Jemi më fat që i kemi miq”, më thoshte.
Prokurorja: Çfarë dinit për regjistrimin e “Vollgës”?
Romeo Tarja: Kisha dijeni që ai nuk e bënte dot regjistrimin e pronës dhe kaq. Asgjë më shumë.
Prokurorja: Sa kohë shpenzonit me Ylvi Beqajn?
Romeo Tarja: Rrinim bashkë thuajse gjatë gjithë ditës. Madje, edhe në darkë rrinim shumë kohë bashkë.
Prokurorja: A ka thyer ndonjë çek në emrin tuaj Ylvi Beqaj?
Romeo Tarja: Po, kam thyer tre çeqe dhe kam kryer disa transferta dhe tërheqje bankare në emër të tij. Paratë që kam tërhequr, diku te 5070 mijë euro, ia kam dhënë në dorë Ylvi Beqjës dhe askujt tjetër.
Avokati: Cila qe arsyeja që i shkëputët marrëdhëniet me Ylvi Beqajn?
Romeo Tarja: Situata e tij financiare sa vinte edhe
përkeqësohej. Por ne u ndamë edhe për çështje konceptuale. Unë jam i martuar, kam edhe dy fëmijë, ndaj vendosa se duhet t’u kushtoja më shumë kohë atyre.
Avokati: A ju ka shfaqur ndonjëherë shqetësim Ylvi Beqaj për Emiljano Shullazin?
Romeo Tarja: Jo, asnjëherë.
Avokati: Po ndonjë kërcënim për ish-hotel “Vollgën”?
Romeo Tarja: Jo, asnjëherë, as për “Vollgën”. I vetmi rast kur është ndjerë i kërcënuar, ka qenë para 11 vjetësh. Për aq kohë sa shoqërohej me mua, nuk më ka përcjellë asnjë shqetësim apo kërcënim nga
askush.
Avokati: Në çfarë kohe dhe ku jeni takuar me Gilmando Danin?
Romeo Tarja: Para dy vjetësh. Ishte Ylvi Beqja, që takoi Danin. Isha edhe unë, dhe takimi u zhvillua në një klimë shumë miqësore.
Avokati: Po për Shullazin, keni dijeni për bizneset apo bisedat që bënte kur përmendte atë?
Romeo Tarja: Vetëm për ish-hotel “Vollgën” dhe për asgjë më shumë nuk më kanë dëgjuar veshët.
Gilmando Dani: A të kujtohet dita kur jemi takuar bashkë ose vendi?
Romeo Tarja: Nuk e mbaj mend mirë, as vendin as ditën.
Gilmando Dani: A më ke dhënë ti mua ndonjë çek ose para?
Romeo Tarja: Në asnjë rast.
Gilmando Dani: A të ka thënë Ylviu të dërgosh lekë diku tjetër?
Romeo Tarja: Jo, vetëm atij i kam dërguar para.
Gjyqtari: Kur ka qenë takimi i fundit me Ylvi Beqajn?
Romeo Tarja: Para një viti e gjysmë, tek ish-Parku i Autobusëve. Ishim vetëm unë dhe ai.
Gilmando Dani: Ke dëgjuar gjë ti, pse u prish ai me ne?
Romeo Tarja: Absolutisht jo.
Gilmando Dani: A të ka kërkuar Ylvi Beqja të dëshmosh kundër nesh?
Romeo Tarja: Ylvi Beqja? Jo, jo!
Avokati: Po Blerim Shullazin, e njihni?
Romeo Tarja: Jo, nuk e njoh.