Skuadra spanjolle e Realit të Madridit po kalon një situatë jo të favorshme, ku rezultatet negative janë bërë problem.
Lidhur me këtë gjendje që po kalon skuadra 12 herë kampione e trofeut më prestigjoz europian “Champions League”, ka reaguar edhe ish-lojtari portugez i Realit, Luis Figo.
Ai ka dhënë ditën e djeshme një intervistë për platformën “DAZN”, në cilësinë e Këshilltarit dhe ambasadorit të UEFA-s, ku tha se Hazard do të ishte një ndihmesë për të nxjerrë madrilenët nga situata.
“Hazard, pa dyshim. Është një lojtar i madh, një nga më të fortët në këtë moment dhe mendoj se, siç e ka shprehur vetë ai, do i pëlqente të luante me Realin. Një tjetër faktor është situata e kontratës: është nga të paktët për momentin që i skadon herët”, – është shprehur Figo.
Më tej ai e ka arsyetuar situatën aktuale të Realit edhe me largimin e Ronaldos.
“Është një vit tranzicioni, një situatë të tillë e shoh si normale: kanë humbur një nga lojtarët më të rëndësishme në historinë e futbollit, që garanton shumë gola dhe zhbllokon ndeshjet vendimtare. Reali ka fituar shumë gjatë viteve të fundit, në sport nuk mund të fitosh gjithmonë”, – tha Figo.
(B.B/ Faxweb.al)