Verën e kaluar, para se Milani të shitej të fondi Elliot (pronari aktual), një tjetër person nga Amerika ishte interesuar për blerjen e kuqezinjve. Bëhet fjalë për Rocco Commiso, pronarin aktual të Fiorentina.
Në një intervistë për “Corriere Della Sera”, ai tha se marrëveshja me “zotin Li”, asokohe pronari kinez i Milanit, ishte e mbyllur, por gjërat ndryshuan brenda një nate.
“Ishim pranë hedhjes së firmës në kontratë. Në mbrëmje, teksa prisnim dokumentet, “zoti Li”, të cilin nuk e kam parë kurrë personalisht nga afër dhe nuk kam biseduar kurrë me të, ndryshoi gjithçka. Ndryshoi bankat, konsulentët, avokatët dhe klauzolat”, tha Commiso.
“Më duket se në skenë hynë krejt papritur disa aktorë të rinj. Mendova se ata kishin bërë një ofertë më të mirë se e imja, por nuk ndodhi kështu. Ata humbën 500 milionë euro në një vit e gjysmë edhe pse ndoshta nuk e di të gjithë historinë”, tha Rocco Commiso.