Përkujtohet sot 11 vjetori i tragjedisë së Gërdecit, ku nga shpërthimi humbën jetën 26 persona dhe u plagosën rreth 300 të tjerë.
Shpërthimi që tronditi fshatin në periferi të Tiranës ndodhi mesditën e 15 mars të vitit 2008 në një depo të demontimit të armëve.
Sot pas 11 vjetësh për familjarët shtohet dhembja, për shkak se sipas tyre drejtësia nuk është vënë në vend.
Ndërkohë që në një rrëfim për Fax News, dy prej ish-punonjësve në fabrikë tregojnë dhe makthin e asaj dite, si humbën miqtë e tyre, dhe teknologjinë primitive që përdorej në çmontimin e municioneve.
“Për një jetesë më të mirë ne punonim atje. Ne kemi qenë në punë, kemi qenë së bashku me ta, Ka qenë një tahma e madhe që dikush të fitonte kundër ligjit. Ja që ndodhi, këtu ikën 26 vetë, njëri u dogj për 3 minuta. Ne i njihnim të gjithë, kam qenë pak metra larg shpërthimit.
Nuk bëhet gjë tani, kemi folur përherë po nuk bëhet gjë në gjykatë. Nuk kemi fituar asgjë nga gjykatat, drejtësia do dhe 50 vjet që të rinovohet, nuk kam marrë asnjë lloj ndihme, edhe për këto ndërtesa kanë paguar të tjerët, jo Shqipëria”, shprehet një prej ish-punonjësve.
‘’Isha në rolin e një skllavi, shkëpusnim predha në mënyrë primitive, atë bëja unë. Po thuajse kam dalë i fundit nga fabrika. Jam ish-ushtarak dhe isha në pension. Gjykata nuk e bëri gjyqin si duhet, nuk u hetuan që nga ish-ministri i mbrojtjes që sot nuk e dimë për çfarë hidhet në protestë, dhe deri te të tjerët.
Nuk ishte aksident teknologjik, se këtu nuk kishte teknologji, këtu ishte punë primitive, ishte gabim i drejtuesve. Fillimisht flaka ka qenë këtu, dhe pastaj ka marrë me radhë baruti dhe predhat, se aq duhej. Ka pasur predha blindshpuese, ato e bën shpërthimin më të madhe”, shprehet punonjësi i dytë që ka parë me sy tmerrin.
(E.K/FAXWEB.AL)