Pas publikimit të listës me 100 emrat e zyrtarëve, të cilët sipas kryeministrit Edi Rama kishin lidhje me korrupsionin dhe abuzimet në administratë, kanë nisur shkarkimet e para.
Gazeta “Panorama” shkruan se Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla ka marrë vendimin sot të shkarkojë dy drejtues prokurorish, emrat e të cilëve përfshiheshin në “listën e zezë” të Ramës.
Dy zyrtarët janë Hysni Vata, kreu i Prokurorisë së Laçit dhe kreu i Prokurorisë së Korçës, Kol Hysenaj. Mësohet se vendimi është marrë fill pas publikimit të raportit të Ramës në Facebook, raport i cili ka ngjallur mjaft debat në mjedisin politik dhe mediatik, për mënyrën se si është realizuar.
Raporti përmbledh denoncimet që qytetarët kanë bërë përmes komenteve, në postimin me titull “Eksperiencat negative në Administratë”. (D.D/Shuplaka)