Në kuadër të operacionit të përbashkët policor të koduar “Korabi”, zhvilluar ndërmjet Policisë Shqiptare dhe asaj Italiane, si rezultat i shkëmbimit të shpejtë të informacioneve të Departamentit të Policisë Kriminale, Interpol Tirana me Zyrën Ndërlidhëse të Oficerëve Italianë në vendin tonë dhe Divizionit të 3-të të Interpol Roma, nga Policia e Dibrës, u bë kapja dhe arrestimi i shtetasve në kërkim ndërkombëtar:
- GJ., 38 vjeç, dhe Q.A.(M), 32 vjeç, lindur dhe banues në Dibër.
Gjithashtu, në Fiano Romano/Itali, u bë arrestimi i shtetases shqiptare H.R., 49 vjeçe, lindur dhe banuese në Dibër.
“Shtetasit e mësipërm ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata Rieto/Itali me vendimin e datës 25.06.2019, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Organizatë kriminale”, “Vjedhja me armë, kryer në bashkëpunim”, “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit” dhe “Mbajtja e sendeve të vjedhura”, parashikuar nga Kodi Penal Italian”, thuhet në noftimin e Policisë nga ku mësohet se maksimumi i dënimit që mund të jepet ndaj tyre është 20 vjet burg.
Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:
Në datën 04.05.2019, në zonën Fiano Romano/Itali, shtetasit e mësipërm në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur nëpërmjet përdorimit të armëve në banesën e shtetasit italian A.L., një sasi bizhuterish dhe shumën 60.000 euro, që ndodheshin në kasafortën e këtij shtetasi dhe më pas janë laguar nga vendi i ngjarjes me një automjet të vjedhur.
Vijon puna për dokumentimin me prova ligjore edhe të vjedhjeve të tjera, që dyshohet se janë kryer në Itali nga ky grup.
Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Roma po vijojnë procedurat për ekstradimin drejt Italisë të dy shtetasve të kapur dhe arrestuar nga Policia e Dibrës.
(F.GJ/FAXWEB.AL)