Juristi Fabian Topollaj, në një intervistë në ekranin e Fax News, ka folur mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e Teatrit Kombëtar, e cila vendosi mes të tjerave pezullimin e ndërtimit të godinës së re, shpalljen të paligjshëm të ligjit Fusha, kthimin e pronësisë së truallit te Ministria e Kulturës, si dhe nuk u shpreh për vendimin e këshillit bashkiak që miratoi shembjen e godinës historike.
Topollaj tha se Kushtetuesja nuk ka juridiksion që të shprehej për vendimin e Këshillit Bashkiak, dhe kjo do të duhet të jetë objekt i Gjykatës Administrative.
“Akti i Këshillit Bashkiak del jashtë juridiksionit të Gjykatës Kushtetuese, ndaj është dhe pika 4 e vendimit të dhënë dje. Thjesht Gjykata Kushtetuese nuk ka juridiksion për të trajtuar çështjet individuale, e tërë procedura është konsideruar me probleme, mazhoranca ka marrë një goditje të drejtpërdrejtë. Mbledhja e Këshillit Bashkiak, ishte një hile tjetër për të bërë fakt të kryer shembjen e Teatrit“, tha Topollaj.
Ndërkohë që ai tha se është qesharak reagimi i Veliajt që shpalli fitoren, e po ashtu joserioz ai i opozitës, që kërkonte arrestimin e kryebashkiakut. Sipas Topollajt, jo çdo ligj që është antikushtetues, shërben si indicie për një fakt penal, ndërsa tha se vendimi i Kushtetueses ishte më së shumti një fitore morale për qëndrestarët e kauzës.
”Në fakt reagimet e të dyja palëve janë qesharake, edhe për faktin se kanë shpallur fitore, nuk mundet që të kenë qenë të dy të fituar në këtë vendim. Është qesharake ajo që bën Erion Veliaj, i gjithë vendimi në tërësi është një goditje mu në ballë, e procedurës së mazhorancës për ndërtimin e teatrit të ri.
Kjo kërkesa e palës tjetër, për të çuar Veliajn në burg, është po ashtu jo serioze. Nëse je në shkelje të kushtetutës, nuk do të thotë që ti je përpara një fakti penal. Edhe ligje të caktuara janë quajtur antikushtetuese, por kjo nuk do të thotë që deputetët janë ngarkuar me përgjegjësi penale.
Unë mendoj se Gjykata ka dhënë një vendim të drejtë, që më shumë ka vlera politike dhe morale, sesa vlerë ligjore, juridikisht nuk mund të kthejë gjë mbrapsht, sa kohë që godina nuk mund të kthehet.
Vlera e gjykatës në këtë rast, është edhe për shkak të disa gabimeve të njëpasnjëshme në të cilën është kapur mazhoranca. Vendimi e thotë qartë se procedurat për ndërtimin e Teatrit të ri nuk janë kompetencë e Bashkisë së Tiranës, unë besoj se procedura për Teatrin e ri do të vazhdojë nga qeveria, dhe në këtë aspekt nuk është ndonjë fitore e madhe, pasi si qeveria ashtu dhe opozita janë e njëjta gjë”, tha më tej Topollaj.
(E.K/Faxweb.al)