Mehdi Benatia shkaktoi polemika pasi deklaroi për shtypin francez se penalltia që shkaktoi ai në ndeshjen ndaj Realit në minutën e 93-të të takimit, ishte njësoj si një përdhunim.
Mbrojtësi i Juventusit u shpreh kështu për “Le Figaro”: “Ishte një përdhunim, çfarë të them tjetër? Një përdhunim. Bëmë lojën që donim, i shënuam 3 gola Realit dhe treguam vlerat tona. Më pas, vjen minuta e 93-të, kur Vazquez kërkon të kontrollojë një top me gjoks, unë e shmang kontaktin me të dhe e largoj topin me të majtën. Ai rrëzohet dhe arbitri merr guximin të japë penallti”.
Marokeni shpjegoi edhe tërbimin e tij në fushë pas akordimit të 11-metërshit.
“Një penallti e tillë nuk mund të jepet, aq më pak në minutën e 93-të. Ka një kontakt minimal me kofshën time, por është pjesë e futbollit dhe nuk kam asnjë qëllim për ta shtyrë. Është e tmerrshme, ndihemi si të përdhunuar. E njëjta gjë i ndodhi Bayern Munchen sezonin e kaluar, me 2-3 gola në pozicion jashtë loje. Reali nuk ka nevojë për ndihmën e arbitrit”, deklaroi Benatia.