Atentati i ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Poro të Vlorës ka tronditur jo pak banorët e këtij fshati. Duke folur për Fax News, ata thonë se dy djemtë nuk sillnin asnjë problem në fshat, dhe merreshin vetëm me punët e tyre.
“Nuk e njihja si fytyrë viktimën, janë familje shumë e mirë. Babai i ka vdekur nga një sëmundje e keqe. Ndërsa Eno Mata thonë se ka jetuar në Greqi. Andej nuk e di si është sjellur. Tani e morëm vesh në mëngjes. Janë familje shumë të mira. Eno është rritur këtu familje shumë e mirë”, ka treguar një banore e fshatit Poro.
“I njihja të dy. Shumë të sjellshëm djem në punë të tyre punëtor. Njëri nga ata vetëm të jëmën ka. Me punë në bujqësi merreshin. Familjen e ka në Greqi Eno Mata. Nuk di gjë, ai ka qënë këtu kemi patur muhabet, djal i sjellshëm. Prindërit i ka të mirë”, është shprehur një banorë tjetër.
Çfarë ndodhi në Vlorë pas mesnate
Zbardhen detajet e atentatit të ndodhur në fshatin Poro të Njësisë Administrative Novoselë në Vlorë mëngjesin e kësaj të hëne. Sipas burimeve, persona të maskuar kanë qëlluar me breshëri plumbash ndaj dy shtetasve Sotiraq Mehillaj dhe Eno Mata.
Mehillaj dhe Mataj, shokë me njëri tjetrin, kanë qenë duke shkuar me motor për në banesë në momentin kur ka ndodhur ngjarja, rreth orës 01:10 pak pas mesnate.
Sipas raportimeve të gazetares së Fax news Afrovita Hysaj, nga atentati të dy shokët, Mëhillaj dhe Mata kanë mbetur të plagosur, ndërsa rrugës për në spital ka ndërruar jetë Sotiraq Mehillaj 22-vjeç, ndërkohë Eno Mata 32-vjeç është i plagosur në gjendje të rëndë për jetën dhe është nisur menjëherë drejt Tiranës për ndihmë më të specializuar shëndetësore.
Faxweb.al mëson se shënjestra e atentatit ka qenë Eno Mata me precedentë të mëparshëm penal.
Mata ka qenë një nga shqiptarët më të kërkuar në Greqi pasi akuzohej për grabitjen me dhunë të një argjendarie si dhe për vrasjen e një avokati të njohur grek, Michalis Zafiropoulos, ngjarje kjo e ndodhur në Tetorin e vitit 2017 në bashkëpunim me Mikel Brahimajn.
Në qershor të vitit 2018, Eno Mata gjatë një tjetër grabitjeje la një shënim për policinë.
“Sa i përket çështjes së z.Zafeiropoulos, jemi të dy viktima. Unë di të mbaj përgjegjësinë time. Nëse do ta dija si do të shkonin punët, nuk do të bëhej kështu siç u bë. Po, unë vjedh, por nuk jam vrasës,” shkruante Mata në letrën e tij.
Duket se pas krimeve të kryera në Greqi ai është kthyer te familja e tij në qytetin e Vlorës, ku i fshihej dhe policisë.
Policia shkoi në vendin e ngjarjes për zbulimin e rrethanave të atentatit, ndërsa bëhet me dije se efektivë të policisë së Vlorës dhe FNSH-së po krehin zonën me qëllim kapjen e autorëve.
Gjatë kërkimeve policia ka konstatuar një automjet tip Mercedes Benz duke u djegur në afërsi të fshatit Bishan, i cili dyshohet të jetë përdorur nga autori/rët gjatë gjatë atentatit mafioz.
Sipas burimeve, automjeti është gjetur duke u djegur tek vendi i quajtur nënkalimi i Bishanit, jo më larg se 5 km nga vendi i ngjarjes, ndërsa ende nuk bëhen me dije arsyet pse ndodhi ngjarja.
Raportimi i gazetares së Fax News nga vendngjarja, në orët e para të mëngjesit të sotëm:
Detajet e dhëna nga policia:
Më datë 27.05.2019, rreth orës 01:10, në fshatin Poro (rrugë) në rrethana ende të paqarta është qëlluar me armë në drejtim të shtetasve E.M dhe S.M të cilët po udhëtonin me motorr.
Si pasojë të dy shtetasit janë plagosur, ku rrugës për në spital ka ndërruar jetë 22 vjeçari S.M, ndërsa shtetasi E.M, 32 vjeç, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Forca të shumta të Policisë Vlorë dhe FNSH-së po krehin zonën, ku në fshatin Bishan është konstatuar duke u djegur një automjet tip Mercedes Benz, i cili dyshohet të jetë përdorur nga autori/rët.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor i cili vijon punën për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
(E.K/FAXWEB.AL)