Palermo duket se është kthyer këto ditë në ‘qytetin e shqiponjave’, pasi që nga e enjtja tifozët kuqezi kanë mbushur rrugët e qytetit italian.
Të veshur me fanella kuq e zi, e me flamuj, këngët shqiptare dëgjohen kudo në Palermo.
Edhe pse Federata Italiane e Futbollit vendosi ta zhvendoste ndeshjen në jug të Italisë, tifozët kuqezi nuk zhgënjyen sa këtë herë të mbështesin ekipin e tyre kudo që shkon.
Qindra mijëra tifozë shqiptarë janë sot në pritje për të parë në stadium përballjen mes ekipit shqiptar dhe italian në orën 20:45.
Ndërkohë gjatë paradites së sotme një delegacion shqiptar ka vizituar Piana degli Albanesi, një qytezë 35 kilometra larg Palermos, e cila është e populluar nga arbëreshët, shqiptarët që kanë emigruar aty që nga koha e Skënderbeut.
Kombëtarja shqiptare përballet sot në orën 20:45 me përfaqësuesen italiane në stadiumin e Palermos, ndeshje e vlefshme për kualifikueset e Botërorit ‘Rusi 2018’.
Xhani De Biazi ka blinduar krahët e skuadrës, duke menduar se rreziku më i madh do të vijë nga skema e Venturës 4-2- 4. Trajneri kuqezi i përgjigjet me skemën 4-1-4-1, ku Ajeti ka mbajtur deri në momentet e fundit zgjedhjet e De Biazit.
Në prag të sfidës me Italinë, në kampin kuqezi mbizotëron ndërthurja e frikës, dëshirës dhe guximit. Stafi teknik, në bashkëpunim me lojtarët po përpiqen të marrin të gjitha masat për të dalë me kokën lart nga stadiumi “Renzo Barbera”. Dinakëria, eksperienca dhe forma e mirë që po kalojnë italianët ngrenë shumë pikëpyetje në kokën e De Biazit.
Fakti që homologu i tij, Ventura, mund të luajë me skemën 4-2-4, ka bërë që De Biazi t’i kushtojë vëmendje të veçantë prapavijës dhe sidomos goditjeve standarde. Thuajse një pjesë të mirë të seancës së djeshme e kanë zënë skemat nga goditjet standarde. Krahas përgatitjes fizike dhe taktike, trajneri po orienton se si të sillën futbollistët tanë në fushë.
Ajo që shqetëson më shumë De Biazin është se lojtarët mund të kapen në befasi nga italianët në çdo aspekt, ndaj një pjesë të mirë të kohës gjatë seancave stërvitore kreu i pankinës ua ka kushtuar takimeve “kokë më kokë” me lojtarët, duke i orientuar për gjithçka. Shpesh trajneri është parë të diskutojë me Ajetin dhe Kukelin, të cilët është hera e parë që luajnë bashkë në qendër.
(M.D/ Shuplaka)