Mjeku i njohur Tritan Kalo ka bërë sot një thirrje për të gjithë qytetarët që të qendrojnë në shtëpitë e tyre, pasi në të kundërt shprehet ai, situata në Itali do të na duket ”lule”.
Kalo sqaron se kushdo është i kërcënuar që të preket nga COVID19, prandaj është e domosdoshme që të merren masat e distancimit social.
“Jemi të izoluar në tre kate të ndryshme. NËSE MUNDENI transmetojeni këtë mesazh:
Ju bëj thirrje pjesës së popullit të padijshëm e të pandijshëm, se me këtë mënyrë sjellje të pa përgjegjshme përkundrejt Covid-19, nuk do të jetë e largët dita kur Italia do t’ju duket lule. Ruajeni e duajeni vetveten tuaj, qëndroni në shtëpi që t’ju mbrojë e shpëtoj Mjeksia e Perëndija bashkë. JU LUTEM!!!
Covid-19 nuk njeh moshë prekje të tij. Gjithkush është i kërcënuar. Mbylluni në shtëpi e respektoni distancimin social. Është një situatë e përkohëshme prej së cilës do të dalim me më pak humbje jetësh e lëndime shëndetsore, nëse mendojmë e veprojmë të ndërgjegjësuar se me çfarë “armiku tinzar e të rrezikshëm” po përballemi.
Ju duam shumë ndaj edhe ju duajeni veten tuaj e respektoni sakrificat tona. Bashkë do tia dalim!!!” Dr. Tritan Kalo”, shkruante mjeku në reagimin e tij, ku e saktëson që nuk ka për qëllim që të frikësojë askënd.
Derimë tani zyrtarisht në vendin tonë ka katër viktima nga COVID19: Më 11 mars ndërroi jetë një 73-vjeçare nga Durrësi, në 18 mars një 66-vjeçar nga Lushnja, ditën e djeshme në 22 Mars humbi jetën një 71-vjeçar nga Kuçova, dhe mëngjesin e sotëm një 43 vjeçar nga Kavaja, i cili nuk raportohej të kishte sëmundje shoqëruese përveç obezitetit, dhe një 61 vjeçar i cili ndodhet në vdekje klinike.
(E.K/Faxweb.al)