Italia e ka nisur një anije spitalore në Lindje të Mesme për t’iu ndihmuar palestinezëve, e cila pritet të arrijë në destinacion “brenda disa ditësh”, ka thënë Ministria italiane e Mbrojtjes, të enjten.
Në anijen “Vulcano”, e cila është e pajisur me dhoma operimi, janë edhe 30 pjesëtarë të stafit mjekësor. Ajo fillimisht do të niset drejt Qipros, ka thënë ministria, por nuk ka treguar sa afër Gazës do të jetë.
Ministri italian i Mbrojtjes Guido Crosetto, ka thënë se pas disa ditësh do t’i nisin përgatitjet edhe për një spital fushor ushtarak, duke e konkretizuar “ndihmën tonë humanitare për Rripin e Gazës”.
Ai ka thënë për mediat italiane se beson që “një iniciativë e tillë do të mirëpritet nga Izraeli, po aq sa prej palestinezëve”.
“Askush nuk do të mund të thotë asgjë për një akt humanitar”.
Ministria ka thënë se është e gatshme të dërgojë më shumë staf mjekësor kur të funksionalizohen spitalet, përfshirë dy anesteziologë, dy kirurgë dhe tetë infermierë.
Rripi i Gazës është duke u bombarduar prej ushtrisë izraelite qysh prej sulmeve të Hamasit në tokën e tij, më 7 tetor. REL