Shqipëria po prezanton për tre ditë me radhë trashëgiminë e saj të pasur natyrore e kulturore në panairin global të turizmit “ITB Berlin 2025”.
“Global Round Table: Next Changes, next challenges” ishte paneli i parë i diskutimeve me pjesëmarrjen e ministres së Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, moderuar nga Richard Quest, gazetar udhëtimesh i CNN.
“Në zhvillimin e turizmit nuk duhet të mësojmë vetëm nga gabimet e të tjerëve, por edhe nga historia jonë e viteve të fundit. Shqipëria sot është një tjetër vend, i transformuar tërësisht edhe falë turizmit”, u shpreh ministrja Kumbaro në këtë tryezë.
E pyetur për flukset e turistëve amerikanë në Europë, Kumbaro tha se turizmi për ne është politikbërje, për turoperatorët dhe kompanitë është biznes, por për klientët është kënaqësi.
“Dhe asnjë nuk mund ta ndalojë kënaqësinë. Njerëzit pas Covid duan të vizitojnë gjithmonë e më shumë vende, Shqipëria që është një destinacion i ri po sheh zgjerim të hartës së turistëve, që nga Amerika Veriore e Jugore, deri në Azi”, tha ajo.
Nga kjo tryezë diskutimi, ministrja Kumbaro qartësoi qasjen e Shqipërisë për të qenë një destinacion i përvojave të nivelit të lartë të turizmit dhe praktikave të qëndrueshme e në harmoni me natyrën.
“Për Shqipërinë ndoshta keni dëgjuar se është vendi i nderit në ITB, por duhet të dini diçka. Është vendi me 2,4 milionë banorë që vitin e kaluar priti rreth 12 milionë vizitorë. Ne duam ta pozicionojmë Shqipërinë në kategorinë e turizmit të lartë. Kemi 21,5% të Shqipërisë zonë të mbrojtur, siç edhe mbrojtëm Vjosën, lumin e fundit të egër. Sa më shumë ta konsiderojmë turizmin si armiqësor me mjedisin, aq më armiqësorë bëhen. Prandaj ne kemi zgjedhur t’i mbajmë nën një “çati” për t’i mbajtur në balancë”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Në diskutimin e saj në panel, ministrja Kumbaro përmendi edhe strategjinë që po ndërton Shqipëria për t’u ofruar mundësi shqiptarëve të diasporës të rikthehen për të punuar dhe investuar në vendlindje.
“Prioriteti ynë janë burimet njerëzore. Kemi nisur edhe një strategji për rikthimin e shqiptarëve në atdhe. Përpara së të vija në Berlin, isha në Athinë për një panair të madh drejtuar bashkatdhetarëve tanë”, u shpreh ajo.
Gjithashtu, ministrja u shpreh se turizmi në Shqipëri është një vizion dhe oferta turistike shqiptare plotëson hartën e madhe të rajonit të Ballkanit e vendos ura lidhëse me Europën e tregjet më të largëta.
“Ballkani është një hartë e madhe turistike. Ne duam ta plotësojmë atë me mënyrën shqiptare dhe me ofertën tonë turistike. Turizmi është vizion për ne në Shqipëri. Është emancipim dhe ne duam ta mbajmë si një urë lidhëse me Europën, me botën”, nënvizoi ministrja e Turizmit dhe Mjedisit.
Ministrja Kumbaro e ndau këtë panel me homologun kroat, ministrin Tonci Glavina, CEO-n e “European Travel Commission”, Eduardo Santander, dhe ministren e Turizmit dhe Çështjeve të Kulturës, Nabeela F.Tunis të Sierra Leone.