Shinzo Abe, ish-kryeministri japonez, i cili ishte viktimë e një sulmi gjatë një mitingu zgjedhor në Nara, vdiq në spital duke mos i mbijetuar plagëve të marra.
Ai u qëllua me armë në shpinë dhe qafë, duke i shkaktuar plagë që rezultuan shumë të rënda për t’u shëruar.
Shinzo Abe, 67 vjeç, vdiq në spital brenda disa orësh pasi iu bë atentat.
42-vjeçari Tetsuya Yamagami, një ish-ushtar, pjesëtar i marinës japoneze dhe forcave të vetëmbrojtjes, u arrestua menjëherë pasi qëlloi mbi ish-kryeministrin japonez.
Që në momentin e parë pas atentatit gjendja e tij ishte shumë kritike.
Abe po mbante një fjalim në mbështetje të një kandidati të Partisë Liberale Demokratike përpara zgjedhjeve të Dhomës së Lartë japoneze të planifikuar për të dielën më 10 korrik, kur u qëllua pas shpine
Shinzo Abe është kryeministri më jetëgjatë japonez pas Luftës së Dytë Botërore. Abe shërbeu si shef qeverie nga viti 2006 deri në vitin 2007 dhe nga viti 2012 deri në vitin 2020 kur edhe dha dorëheqje për shkak të problemeve shëndetësore.
Mandati i tij e kaloi atë të gjyshit të tij Nobusuke Kishi, i cili udhëhoqi Japoninë nga 1957 deri në 1960. Babai i tij, Shintaro, shërbeu gjithashtu si kryesekretar i kabinetit, pozicioni i dytë më i fuqishëm i vendit.