Policia e Trentos në Itali ka arrestuar sot në mëngjes tre shqiptarë, dy burra e një grua, respektivisht të moshave 28, 31 e 26 vjeç, rezidentë në Milano e Trento.
Të arrestuarit dyshohen si autorë të një serie vjedhjesh të kryera gjatë ditëve të fundit në Trento. Banda, në të cilën mund të ketë pasur edhe persona të tjerë, e kishte bazën në një apartament në lokalitetin Martignano.
Aty janë gjetur disa stoli ari, si unaza, zinxhirë e byzylykë, me peshë të përgjithshme rreth 1 kilogram.
Policët kanë gjetur edhe 1000 euro e 7000 franga zvicerane, si dhe doreza, kapuçë malorë për mbulimin e fytyrës dhe mjete për çmontimin e gurëve të çmuar dhe dyerve të apartamenteve.
Brenda banesës, treshja kishte instaluar edhe një sistem videopërgjimi të avancuar, për t’u paraprirë aksioneve të policisë si ky i sotmi. Për të shmangur vënien re nga hajdutët, agjentët pritën deri sa njëri prej tyre doli nga shtëpia për të vërshuar më pas brenda saj.
Me ekzaminimin e telefonave shpresohet të mësohet nëse kanë pasur edhe bashkëpunëtorë të tjerë si dhe për të vërtetuar nëse kanë qenë pranë vendeve ku janë kryer vjedhjet e ditëve të fundit.